Nga Agjencia e Pyjeve për zjarret: Dyshohet se po shkaktohen nga dora e njeriut

Prishtinë | 27 Mar 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Pyejeve të Kosovës, Bekim Hoxha ka thënë se zjarret e fundit të pyjeve në Kosovë dyshohet të jenë shkaktuar nga dora e njeriut.

Policia e Kosovës kishte njoftuar për raste të përfshirjes së disa prej pyjeve nga zjarri, ku për të njëjtat kishin intervenuar zjarrfikësit dhe vetë banorët për t’i vënë nën kontroll flakët.

“Në këto kohë, faktori njeri është ai që po i shkakton këto zjarre nuk mundemi të presim që po ndodhin vetë ato”, deklaroi ai.

Ai ka shtuar se pyjet po përfshihen nga zjarri, për arsye se njerëzit po i djegin livadhet dhe pastaj zjarri po shpërndahet.

“Kjo po ndodh sepse njerëzit po i djegin disa livadhe apo ara dhe pastaj po shpërndahet zjarri”, ka shtuar ai për Telegrafin.

Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, 50 hektarë pyje në Novobërdë ishin përfshirë nga flakët, një pjesë e pyjeve në Ranilluk por edhe në Rahovec gjithashtu.

“Raportohet se në rrethana të pa njohura është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe e pyllit prej 10 hektarësh pronë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe eksperti i zjarrit dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

“Gjithashtu, raportohet se janë përfshi nga zjarri rreth 50 hektar pyll pronë private dhe shtetërore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa, ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se është përfshirë nga zjarri një pjesë e pyjeve, të cilin së bashku me qytetarë të tjerë e kanë shuar. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit”, përfundon raporti.

Të ngjashme