Nga e enjtja, lëvizje pa kufizime nga ora 05-21, hapen edhe objektet fetare

Prishtinë | 25 Maj 2020 | 17:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Faza e tretë e lehtësimit të masave do të nisë disa ditë më herët seç ishte planifikuar.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një konferencë për media, se nga e enjtja qytetarët do të mund të lëvizin pa asnjë kufizim për 16 orë në ditë, nga 5:00 deri më 21:00.

Vitia i cili shoqërohej dhe nga kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, dhe kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dha dhe lajmin se nga e enjtja do të hapen edhe xhamitë e kishat, si dhe objektet e tjera fetare.

“Ky është një sukses i përbashkët”, tha Vitia.

Në konferencë ishin dhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Ajazaj Berisha.

“Dje kemi pasur 0 raste nga 13 marsi është hera e parë që kemi 0 raste me virusin Corona ky është falë bashkëpunimit të institucioneve dhe gjithë qytetarëve tonë”, theksoi Vitia.

“Do të vazhdojmë të testojmë çdo ditë pasi rreziku nga virusi nuk ka kaluar, ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin”.

“Nga 4 maji kemi filluar planin me 3 faza me të cilin po planifikojmë kthimin në normalitet. Pas diskutimeve që kemi pasur javën e kaluar dhe rezultateve nga terreni jemi të inkurajuar të prezantojmë masat e reja. Ndër masat lehtësuese janë edhe ato për hapjen e objekteve fetare që mund të hapen nga data 28 maj, pra nga kjo e enjte”.

“Kufizimi i lëvizjes do të ndryshojë. Nga ora 5 e mëngjesit deri në 23 të darkës, qytetarët do të mund të lëvizin pa kufizime”.

“Para fundit të muajit do të mbyllet edhe qendra e karantinimit”, tha Vitia, raporton Ekonomia Online.

Sa i përket valës së dytë të mundshme, Vitia me profesion mjek tha se këtë nuk e di askush me siguri, por duhet të jenë të përgatitur.

“Këtë fatkeqësisht nuk mund ta themi askush nga ne me saktësi por me këtë po përgatitemi maksimalisht. 70 milionë euro kemi siguruar nga Qeveria, kreditorët etj. Këto mjete do të shfrytëzohen jo vetëm në luftën ndaj pandemisë… Do të shtojmë 5 laboratorë për testime, do të shtojmë numrin e respiratorëve, numrin e rezonancave, numrin e CT-ve, të shtretërve… Këto investime në shëndetësi kanë qenë të munguara”.

“Në sheshe do të ketë më shumë zyrtarë policorë dhe vullnetarë”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më tutje u shpreh se kafeteritë nuk do të hapen para datës 1 qershor dhe kufijtë nuk do të hapen para fazës së 3.

“Sa i përket hapjes së kafeterive, kjo varet nga situata epidemiologjike në terren. Nga data 1 qershor do të hapet faza e 3 dhe IKShPK do ta bëjë analizën dhe besoj që nuk do të ketë vonesa në hapjen e kafeterive dhe gastronomisë”.

Vitia tha se sot, deri më tani, nga 93 teste nuk ka asnjë  rast të ri pozitiv.

Ai po ashtu tha se çerdhet dhe shkollat nga klasa e 9-12 do të mund të hapen varësisht nga situata epidemiologjike.

Drejtori i IKShP-së, Naser Ramadani, tha se me masat kanë shpëtuar jetë dhe për këtë kanë pasur rol edhe prijësit fetarë.

“Situata epidemiologjike sot duket edhe më e qëndrueshme se e ditëve më parë. E keni parë që në ketë lakore ne kemi kaluar në një etapë të lakores së sheshtë në të cilën mesi i epidemisë ka qenë në prill. Situata është mbajtur nganjëherë me vështirësi, por në kontroll; kjo falë qytetarëve”.

“Ne kemi shpëtuar jetë të njerëzve të cilat do të maten dhe faktohen në ditën në vijim”.

“Jemi tashmë në përfundim të lakores, e cila e ka një bisht epidemik që do të zgjasë disa javë disa muaj por në bazë të masave që i kemi ndërmarrë, kjo fazë mund të shfaqet ose të mos shfaqet me intensitet të vogël. Jemi të gatshëm të marrim masa duke ruajtur në minimum shfaqjen e rasteve” tha Ramadani.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazi, tha se garanton që kjo klinikë është e gatshme t’iu dalë në ndihmë gjithmonë qytetarëve.

Ajo tregoi se në Klinikën Infektive ka një numër rastesh të hospitalizuara, disa në gjendje të rëndë.

Pak minuta pas konferencës, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka vdekur një 59-vjeçar nga Prizreni, i cili ishte i shtrirë në Klinikë Infektive.

Ai po trajtohej prej ditësh në Mjekimin intensiv të Klinikës Infektive dhe kishte edhe sëmundje tjetër shoqëruese.

Me këtë, numri i të vdekurve në Kosovë nga Covid-19 ka shkuar në 30. Deri më tani, janë shënuar gjithsej 1032 raste të infektuar, nga të cilët janë shëruar 789 veta.

Të ngjashme