Nga gazetar në president të Parlamentit Evropian, kush ishte i respektuari David Sassoli

Prishtinë | 11 Jan 2022 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, vdiq të martën në moshën 65-vjeçare. Ai dikur ishte gazetar në televizion, por u bë pjesë e politikës para një dekade si deputet i qendrës së majtë në organin e lartë.

I zgjedhur president i Parlamentit Evropian më 2019, post i ngjashëm me pozitën e kryetarit të kuvendit në shtete të ndryshme, mandati i tij me 2 vjet e gjysmë u mbizotërua nga pandemia e koronavirusit, shkruan France24.

Sassoli e fitoi respektin e parlamentit me aftësinë e tij për organizim, me vëmendjen që ekipi i tij ia kushtonte një sistemi për votim nga distanca dhe me aftësinë për t’i rezistuar trysnisë së Francës për t’i kthyer në Strasburg zyrtarët e zgjedhur.

Në shenjë solidarizimi gjatë pandemisë, ai i shndërroi hapësirat e Parlamentit Evropian në vende të gatshme për përgatitjen e ushqimit për familjet nevojtare dhe për testim për Covid-19.

Shëndeti ishte pika e tij e dobët, pasi ishte shëruar nga leukemia.

Si konsumues i madh i duhanit, Sassoli u dërgua në spital në shtator të vitit të kaluar për shkak të pneumonisë, që ia pamundësoi punën në parlament për disa javë.

I lindur në Firencë më 30 maj 1956, Sassoli  i studio shkencat politike para se ta fillonte punën si gazetar për një gazetë dhe një agjenci lajmesh.

Babai i dy fëmijëve më 1992 e nisi punën në televizionin e njohur italian, RAI, duke u ngritur në detyrë e duke u bërë fytyrë e njohur për miliona italianë, duke i dhënë lajmet e mbrëmjes në kanalin kryesor, ku gjithashtu u bë zëvendësdrejtor.

Në vitin 2009m Sassoli iu bashkua Partisë Demokratike, të themeluar nga ish-kryetari i Romës, Ëalter Veltroni. Statusi i tij si figurë e njohur ia mundësoi zgjedhjen si deputet në Parlamentin Evropian me rreth 400.000 vota, duke e larguar nga ekrani në Itali e duke i mundësuar karrierë të re në politikë.

“Nëse ma jepni besimin, do të luftojmë së bashku për një parlament që është modern, më transparent, i shëndetshëm në aspektin mjedisor, i qasshëm për qytetarë”, kishte thënë Sassoli para votimit të deputetëve për të më 2019.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Të ngjashme