Në katër gjenerata, në 120 vite, nëse një gjeneratë llogaritet 30 vite, nga 1877/78-1999, Serbia ka ushtruar tri gjenocide kundër shqiptarëve dhe shumë masakra e dëbime tjera në “meskohë” dhe tri herë e ka aneksuar Kosovën e sotme dhe fillimisht një Kosovë tjetër (Nish, Prokuple, Kushumli, Vranjë, Leskovc, Pirot, Tërn).
Më 1877/78, Serbia kreu gjenocidin e parë të madh kundër shqiptarëve duke masakruar e dëbuar mbi 200.000 shqiptarë nga një territor më i madh se sa Kosova e sotme (Sanxhaku i Nishit!), të cilin e aneksoi dhe iu njoh si territor i saj në Kongresin e Berlinit.
Më 1908-1912/18, Serbia ushtroi gjenocidin tjetër, në luftërat ballkanike, në të cilat Serbia kishte objektiv kryesor shqiptarët, gjenocidin e ri serb kundër shqiptarëve, që përfundoi me aneksimin e Kosovës nga Serbia.
Më 1941-1945, Serbia, në Kosovë i luftoi shqiptarët dhe jo forcat gjermane. E aneksoi edhe njëherë Kosovën.
Më 1989, për të tretën herë e aneksoi dhe okupoi Kosovën.
Më 1997-1999, Serbia për herë të tretë, kreu masakra, dëbim masiv, krime e gjenocid kundër shqiptarëve e Kosovës.
Dhe tani, më 2021, prapë po i vringëllon armët kundër Kosovës.
Asnjëherë, gjatë gjithë kësaj periudhe masakrash e gjenocidesh serbe kundër shqiptarëve, askush nuk i kërkoi përgjegjësi Serbisë dhe as nuk e dënoi për këto gjenocide kundër shqiptarëve. Serbia u favorizua duke ia njohur territoret shqiptare të aneksuara e të okupuara përmes krimit e gjenocidit.
Me përjashtim më 1999, kur Kosova u çlirua nga Serbia, fitoi lirinë dhe pavarësinë e saj.
Por pa e ndëshkuar as në këtë rast Serbinë, pa ndjerë Serbia asnjëherë peshën e dënimit për krime e gjenocid.
Merkel në Izrael (2021), “ Holokausti është, natyrisht, një ngjarje unike për të cilën ne vazhdojmë të mbajmë përgjegjësi. Në çdo fazë të së kaluarës dhe të së ardhmes”.
Vuçiq (2021) “Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën dhe këtë po e përsëris edhe unë, pra, krimi në Reçak është i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai mashtruesi i botës, hajni dhe gënjeshtari (William) Walker”.
Todosijeviq, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, në Zveçan, (Mars, 2019) “ Masakra e Reçakut ishte trillim”, “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”.
Vuçiq (2021), “ Kjo është aq e pakuptimtë dhe e marr sa më nuk kam fjalë”. (përgjegjja e tij rreth deklaratave për ngritje të padisë ndaj Serbisë).
Pra, Gjermania edhe pas 80 viteve ende mban përgjegjësi për holokaustin ndaj izraelitëve!.
Serbia, pas vetëm 20 viteve, jo që nuk mbanë përgjegjësi por edhe i mohon masakrat, krimet e gjenocidin kundër shqiptarëve.
Deri tani askush zyrtarisht nuk ka kërkuar dënimin e krimin e gjenocidit serb dhe as denacifikimin dhe defashistizimin e Serbisë! As BE, as SHBA, as ne!
Mbulimi i krimeve e gjenocidit nuk e ka bërë Serbinë më të mirë, veç sa ia ka shtuar apetitet për konflikte të reja, si edhe deri tani, ashtu edhe tani.
Kur krimet mbulohen e nuk dënohen pasoja është e qartë, nga gjenocidi në gjenocid, numërim i gjenocideve, krimeve e masakrave.
Jo rrallë herë në historinë politike e të luftërave, është pranuar argumenti dhe politika e “të fortit” dhe “fakti i kryer”, edhe përmes dhunës e gjenocidit!
Kështu, në Bosnjë e Hercegovinë nuk janë prekur kufijtë e jashtëm por janë krijuar kufij të brendshëm që i njohu Evropa e bota. “Republika Srbska” është “fakt i kryer” përmes spastrimit etnik, dhunës e gjenocidit. Rrezik potencial për ndarje dhe konflikt të ri!
Në Kosovë, nuk “janë” prekë kufijtë e jashtëm por BE-ja e të tjerë po kërkojnë që me Asociacion të vëhen kufij të brendshëm edhe “de jure”! Veriu, “de facto” është bërë “fakt i kryer” përmes spastrimit etnik, madje në kohë lirie, para syve tanë e në sy tanë, në prani edhe të KFOR-it (francez!). Ndërhyrja e Serbisë në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës është permanente. Asociacioni finalizon ndarjen etnike në Kosovë, si uvertyrë për ndarje territoriale. Të gjithë e dinë këtë fakt dhe të gjithë insistojnë në të! Pse?!
Është e domosdoshme të bëhet së paku një “zgjidhje” e tillë edhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc të përkrahur edhe nga BE-ja, njësoj si për serbët në Kosovë!
Shtetet e fuqishme, edhe mike, vetvetiu nuk na zgjidhin as na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve pa një drejtim dhe veprim të qartë politik nga ana jonë. Drejtim politik në bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë me SHBA-të, me miqtë e partnerët evropianë dhe gjithë të tjerët.
Pse duhet edhe më tutje të numërojmë krimet e gjenocidet serbe ndaj nesh?!
Është koha ta kthejmë historinë dhe numërimin ndryshe!