Nga gropa e Prishtinës…

Prishtinë | 31 Jan 2024 | 22:53 | Nga Ndue Ukaj

Prishtina është qytet i ndërtuar në një gropë. Kur e sheh relievin e saj, të duket sikur mendësia e gropës i ka kurthuar mendimet e saj dhe ngërthen diçka fatale.

Por, në vitet e nëntëdhjeta, Prishtina kishte një elitë që ia doli të dilte nga gropa – ajo u bë elitë e metropoleve dhe u përqafua nga metropolet.

Sot, duket sikur gjithçka është kthyer kryengulthi dhe në këtë gropë janë kurthuar fatet tona.

Ka dëshpërim dhe mërzi pafund, tek të gjitha shtresat – pa kurrfarë dallimi.

Dhe këtë e shprehin të gjithë: nxënësit, mësuesit, taksistët, kamerierët, floktarët, profesorët, shkrimtarët, politikanët…

Dhe sot, në këtë fundjanar, në këtë gropë të madhe, pakkush mendon se vendi i tyre mund të bëhet më i mirë. Dhe për mua, kjo është kryetragjedia e vendit tonë, më e frikshme se asociacioni, marrëveshja e mundshme me Serbinë, të cilën dikush me epsh e predikon si të keqe e dikush si jo të kënaqshme.

Vërtet, Prishtina e sotme politike është katandisë në një gropë të frikshme ideologjike. E ka humbë besimin në vetvete dhe në të tjerët.

Ajo sot nuk ka kurrfrfarë vizioni për zhvillimin e vendit dhe as për paqe.

Llomotitë kot. Nuk di kah të shkojë.
Sepse, qeveriset e udhëhiqur nga një epsh ideologjik, të cilit i ka dalë boja qëmoti.

Për Kosovën sot e në emër të saj flasin disa mendjengushtë e robë të ideve të mjera.

Po, Prishtinën politike e ka mbuluar smogu i ideve të këqija e të shkreta.

Dhe këto ide të këqija, të vogla e të shkreta, pa vështirësi gjejnë hapësirë në sferën publike dhe bëhen standarde publike. Që domethënë bëhen ushqim për qytetarët e gjithë vendit.

Kudo ka rrëmujë e mendime të rrëmujshme.
Mungon gjallëria kulturore dhe mbretëron një zymtësi e frikshme.

Pikërisht kjo amosferë e ka kthyer emigrimin në kryetemë.

Dhe përballë këtij realiteti, edhe njerëzit më racionalë duken të habitur e të shtangur.
Sepse, shpjegime racionale e as me bazë empirike për këtë kurthim nuk ka.

Prishtina, si qytet është ndërtuar në një gropë, me rrugë të ngushta, trotuare të ngushta, por dikur ajo kishte njerëz më mendje hapur.

Sot, rrugë ka më shumë së dikur, kodrat kanë filluar të stërmbushen me ndërtime, por njerëzit duken të katandisur në gropë.
Dhe dihet, gropat ideologjike janë të tmerrshme e të frikshme. Ato i bëjnë njerëzit mendjengushtë e mendjekëqij, sepse në gropë njeriu sheh pak ose aspak.
Dhe ushqehet me dromca “kulturore” e politike që të tjerët i hedhin nga lart.

Prandaj, të mësohesh me jetën e gropës është si të mësohesh me çjetën.

Në këtë fundjanar, politika dhe frika kanë hyrë në çdo shtëpi dhe kanë trazuar midenë e një populli të stërvuajtur.

Flitet për kacafytje, luftë, pasiguri dhe nuk flitet për paqe, solidaritet e zhvillim.

Mehr Licht, kërkonte dikur Goethe i madh.
Më shumë dritë, duhet të kërkojë sot Prishtina politike.

Por, drita nuk vjen përsa kohë nuk vetëdijesohemi se jemi në terr.
Për sa kohë nuk synojmë të ngjitemi në lartësi.

Për sa kohë vetëkënaqemi në mbretërinë e tallavasë, mbretëri kjo që po shkallmon jetën tonë, dhe po thanë idealet e një brezi të ri që rrugën e ikjes e ka zgjedhje parësore.

Të ngjashme