Nga hapja e linjës ajrore dhe riaktivizimi i hekurudhës, deri te kërkesa për hapje të vendeve të punës

Prishtinë | 26 Jan 2020 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Pas 20 viteve është paralajmëruar rikthimi i fluturimeve Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas. Për këtë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, në fillim të javës ka nënshkruar në Berlin marrëveshjen me kompaninë gjermane ‘Lutfhansa’, për të hapur këtë linjë ajrore.

Nënshkrimi i marrëveshjes bërë në ambasadën amerikane në Berlin, në prezencën e të dërguarit special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e Lufthansas i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet vendase t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.

Po ashtu, pritet të riaktivizohet linja hekurudhore që lidh Kosovën dhe Serbinë.

Lajmin për hapjen e linjës ajrore e kishte konfirmuar vetë Grenell, i cili këtë marrëveshje e ka konsideruar si arritje të administratës së presidentit Donald Trump.

“Presidenti Donald Trump edhe një herë na ka udhëhequr në një fitore historike. Kosova dhe Serbia sot kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e linjës së parë ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas 21 viteve. Faleminderit Lufthansa, NATO, Robert O’Brien dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë”, kishte shkruar Grenell në Twitter.

Menjëherë kishte ardhur edhe reagimi nga vetë presidenti Donald Trump, ku këtë marrëveshje e ka konsideruar si historike.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar presidenti amerikan në Twitter.

Pas kësaj, vet Grenell u kujdes që të vij në një vizitë në Prishtinë dhe Beograd, i cili takoi përfaqësuesit e të dyja vendeve.

Ai gjatë qëndrimit në Prishtinë ka thënë se me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arritja e progresit në rajon në aspektin ekonomik.

“Presidenti Trump ka qenë i fokusuar për të zgjidhur problemet, jo duke shikuar mbrapa. Ne duam të bëjmë progres në rajon, Kosovë, Serbi, në aspektin ekonomik. Të rinjtë duan punë”, ka thënë ai gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Grenell pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se për të pasur zhvillim ekonomik, atëherë duhet të hiqet taksa 100 për qind.

“Të mos kemi vetëm luftë politike, por edhe ekonomike. Jam duke tentuar të injoroj këtë luftë polikë dhe të koncentrohem në zhvillimin e ekonomisë dhe për këtë i thashë zotëri Krutit dhe do t’u them të gjithë politikanëve që i takojë këtu se nëse duam zhvillim ekonomik taksa 100 për qind duhet të hiqet”, ishte shprehur Grenell.

Të njëjtin mesazh për zhvillim ekonomik, ai e kishte dhënë edhe pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“E ndava të njëjtin mesazh që ne në Amerikë nuk jemi të interesuar të përfshihemi në atë se si formohet qeveria, por jemi të interesuar në zhvillimin e ekonomisë. Ndava me Mustafën edhe vizionin tim në lidhje me arritjen e pikës së synuar në një kohë sa më të shpejt, duke e hequr taksën dhe duke ndërprerë kampanjën e ç’njohjeve nga Serbia, kemi për të zhvilluar ekonominë”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Ambasadori Grenell gjatë takimit me përfaqësuesit e biznesit në vend ka thënë se, zgjidhja e çështjeve të hapura politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndihmonte të dyja shtetet në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës, ku komunitetet e biznesit duhet të luajnë rolin e tyre në përmbylljen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet të dyja vendeve.

Përveç diskutimeve të rëndësishme për çështjen e dialogut, taksës e ç’njohjeve, ai nga Beogradi ka njoftuar se në fillim të javës do të ketë takim në Berlin, për arritjen e marrëveshjes së riaktivizimit të hekurudhës. Sipas tij ky takim do të ndodhë me ekspertë nga Kosova e Serbia, në përpjekje për të arritur marrëveshjen e dytë, pas asaj me linjën ajrore.

Këtë lajm e kishte konfirmuar vetë ambasada amerikane në Beograd, ku me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se palët janë pajtuar që të rivendosin lidhjet hekurudhore.

“Në vazhdën e lidhjes së parë të drejtpërdrejtë ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës në më shumë se dy dekada, Grenell njoftoi sot se të gjitha palët ranë dakord të rivendosin edhe lidhjet hekurudhore. Detajet për t’u negociuar të hënën në Berlin”, thuhet në shkrimin e ambasadës pas takimit ndërmjet dërguarit special të presidentit Donald Trump për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Grenell pas takimit me Vuçiqin ka kërkuar që të ndalet fushata për çnjohje nga Serbia, ku në anën tjetër do të hiqet taksa 100 për qind.

“Fushata për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës duhet të ndalet, taksa duhet të hiqet”, ka thënë Grenell.

Ai gjithashtu ka thënë se do të dëshironte që t’i afronte të dy palët dhe të përqendrohej në të ardhmen, ekonominë, si dhe tejkalimin e konflikteve.

Të ngjashme