Nga janari deri në dhjetor, ATK-ja mblodhi rreth 950 milionë euro tatime

Prishtinë | 27 Dhj 2024 | 14:46 | Nga Gzim Mujaj

Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur rreth 950 milion euro në tatime, nga janari deri në dhjetor të këtij viti, raporton Ekonomia Online.

Këtë e bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencën përmbyllëse të vitit, duke theksuar se në krahasim me periudhën e njëjtë të viti të kaluar ka rritje për 100 milion euro apo rreth 12 %, në raport me vitin paraprak.

Ai ka thënë se për 25 vite ATK ka mbledhur 8.3 miliard euro.

“Për gjatë vitit që po e lëmë pas Administrata Tatimore e Kosovës vazhdoi me ngritje të performancës pothuajse në të gjithë indikatorët matës. Në vitin 2024 kemi inkasim të të hyrave tatimore mbi 950 milion euro, që do të thotë se kemi rritur të hyrat mbi 100 mil euro apo rreth 12 %, në raport me vitin paraprak. Krahas rritjes së të hyrave ne vazhduam me reformim institucional, si dhe ngritje të llogaridhënies dhe përgjegjësisë në nivel individual dhe institucional”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se këtë vit është rritur edhe pagesa e tatimeve nga ana e këngëtarëve e cila ka arritur në vlerën e mbi 3.2 milion euro.

Po ashtu, sa i përket sektorit të gastronomisë, ai ka thënë se tatimet e mbledhura për këtë vit nga ta është mbi 30 milion euro.

“Këtu mund të shini një dallim të konsiderueshëm të rritjeve tatimore. Në vitin 2023 kishim vetëm 2.7 milion euro, këtë vit kemi 3.2 milion euro. Po ashtu edhe te gastronomia ka një rritje prej 27 milion që ishte në vitin 2023, mbi 30 milion euro”, ka thënë ai.

Të ngjashme