Qeveria e re e Kosovës pritet të votohet sot në Kuvend. Kur kanë mbetur më pak se dy orë nga fillimi seancës për votimin e Qeverisë Hoti, nga kabineti i Vjosa Osmanit nuk e dinë ende nëse kryeparlamentarja do ta drejtojë atë.
Bekim Kupina, këshilltar i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, ka thënë se drejtimi i seancës është aspekt teknik.
“Deri në seancë janë edhe dy orë. Drejtimi i senacës është aspekt teknik. Por, do ta shihni”, ka thënë Kupina për Gazetën Sinjali.
Osmani, që është edhe nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishte dalë kundër rrëzimit të qeverisë dhe është shprehur po ashtu kundër krijimit të një qeverie të re me Avdullah Hotin kryeministër.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë dje se “Vjosa Osmani vendos vetë nëse do ta udhëheqë këtë seancë”.