Kur kanë mbetur edhe më pak se dy javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, KQZ-ja është duke bërë të gjitha përgatitjet e duhura që procesi zgjedhor të shkojë mirë.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë se po punojnë që gjithçka të jetë gati për ditën e zgjedhjeve.
Ai ka konfirmuar se në ditën e zgjedhjeve votuesit nuk do të duhet ta paraqesin dëshminë e vaksinimit ose rezultatin negativ të ndonjërit nga testet për COVID-19.
Elezi ka thënë se duke kërkuar dëshminë e vaksinimit do të kufizohej e drejta e votës që është e drejtë kushtetuese.
“Për këtë proces zgjedhor, për dallim nga ai i 14 shkurtit, e dimë që kërkohet vaksina për të pasur qasje në institucione, kafeteri dhe aktivitete të tjera. Sa i përket çështjes së votimit në ditën e zgjedhjeve, KQZ-ja nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar ose se kanë rezultuar negativ në njërin nga testet për COVID-19. Nuk do të ishte korrekte dhe gjithashtu nuk është në përputhje me të drejtën kushtetuese që të kufizohet e drejta e votës me një dëshmi të vaksinimit. Deri më tani e dimë në bazë të të dhënave që nuk është bërë akoma vaksinimi i të gjithë qytetarëve, në këtë rast edhe i qytetarëve me të drejtë vote, prandaj nëse ne kërkojmë dëshmi të vaksinimit atëherë i bie që shumë prej qytetarëve do të përjashtoheshin nga ushtrimi i të drejtës së tyre për të votuar”.
“Megjithatë, ka masa kufizuese sa i përket votuesve. Natyrisht se nga të gjithë qytetarët me të drejtë vote të cilët shkojnë në vendvotim gjatë kohës sa janë duke pritur në qendër të votimit kërkojmë që të mbahet distanca prej 2 metrash, gjithashtu distancë kërkohet edhe gjatë kohës sa janë duke hyrë në vendvotim. Votuesit duhet të mbajnë gjatë gjithë kohës maskën, me përjashtim të rastit kur duhet të identifikohen nga ana e anëtarit të këshillit të vendvotimit. KQZ-ja do të vendosë në hyrje dezinfektues, në mënyrë që votuesit të dezinfektojnë duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit”, tha ai në Klan Kosova.
Dëshmia e vaksinimit ose rezultati negativ i një nga testeve për COVID-19 do të kërkohet për stafin zgjedhor dhe vëzhguesit që do të punojnë më 17 tetor.
Kur zgjedhjet po mbahen në kohë pandemie, zëdhënësi i KQZ-së ka treguar se votimi do t’i mundësohet edhe të gjithë atyre që janë të infektuar me COVID-19.