Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohet rreth orës 16:00 me përfaqësues të Listës Serbe.
Një zyrtar i kësaj liste i ka thënë Klan Kosovës në kushte anonimiteti se në asnjë formë nuk e bllokojnë formimin e Qeverisë.
Se takime me të gjithë përfaqësuesit e minoriteteve do të zhvillohen në kuadër të bisedimeve për ta krijuar Qeverinë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
“Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar Qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshirë edhe minoritetin serb”.
“Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës – sidomos në fushat që kanë ndikim në jetën e këtij komuniteti. Po ashtu do të diskutohet edhe për propozimet e Kurti sa i përket drejtuesit të ministrisë që do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb, siç garanton Kushtetuta”.
Përveç informacionit se do të ketë një takim, nuk dihet se në çfarë ore dhe në cilin lokacion do të zhvillohet takimi me përfaqësuesit e Listës Serbe.