Nga nesër, punëtorët e administratë së Gjykatës Themelore në Prishtinë do të futen grevë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, i cili tha se greva do të fillojë nga ora 08:00-16:00.
Mirëpo siç tha ai, administrata do të merr pjesë në seanca gjyqësore në rastet me paraburgim, dhunë në familje dhe pranim të shkresave për mos humbje të ankesave.
Ata po kërkojnë, aprovimin e Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive, përafrimin e pagave të punëtorëve të administratës në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor, shujta ditore prej 3 euro si dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro.
Ndryshe, Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, me 25 janar 2022 ua kishte drejtuar të gjitha institucioneve një kërkesë për realizimin e kërkesave të tyre.
Me anë të kësaj kërkesë, ata kishin kërkuar që të aprovohet Ligjit për Administratën e Punëtorëve te Gjykatave dhe Prokurorive, bazuar në Projektligjin për ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik e specifikuar në nenin 2, pika 8.
Po ashtu, kjo shoqatë kishte kërkuar që të aprovohet edhe Ligji për Paga, i cili duhet sponsorizuar nga MAP-i, e që sipas tyre, duhet të eliminohen 11 nene të cilat nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me qëllim që të bëhet balancimi i tri pushteteve dhe gjyqësori si shtyllë e tretë e pushtetit të ketë pavarësinë e tij të plotë funksional, organizativ dhe buxhetor.
Kërkesë tjetër e administratës së gjykatës është edhe rregullimi I pagave me ligj-përafrimin e pagave të punëtorëve të administratës gjyqësore dhe prokuroriale me atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Për shkak se institucionet relevante kanë neglizhuar këto kërkesa, kryesia e Shoqatës Sindikale, nëndegët e saj dhe Shoqata Sindikale e Gjykatës së Apelit me 28 shkurt 2022, kanë marrë vendim që grevën e viti 2018 ta pezullojnë.
Kjo grevë pritët të fillojë me 1 mars 2022, nga ora 08:00.
Por sipas grevistëve, do të lejohen që lëndët e natyrës urgjente si: lëndët me paraburgim dhe lëndët me të cilat rrezikohet personaliteti i njeriut (dhuna në familje), të lejohet të punohet si dhe shkresat që i adresohen gjykatës të pranohen nga stafi i arkivës në kohën e caktuar nga këshilli grevist. (Betimi për Drejtësi)