Nga një muaj paraburgim për babë e bir nga Lipjani për shtytje në vetëvrasje

Prishtinë | 16 Maj 2024 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurve S.T dhe A.T për veprën penale Shtytje në vetëvrasje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.T dhe A.T, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Shtytje në vetëvrasje”.

Të pandehurit në fjalë dyshohen se e kanë shtyrë për vetëvrasje një person të martën e kësaj jave në Graçanicë.

“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurve S.T dhe A.T, andaj caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm, sepse nëse ë pandehurit lihen në liri, mund të ndikojnë tek dëshmitarët që të ndryshojnë dëshmitë e tyre dhe në këtë mënyrë, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme