Në Akademinë Përkujtimore të organizuar me rastin e 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, u vlerësua kontributi dhe u theksua rëndësia historike dhe politike e këtyre ngjarjeve për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se para 45 viteve populli i Kosovës ishte më i shtypuri dhe i margjinalizuari.
“Prej vitesh, dhe veçanërisht në periudhën e lirisë, çdo pranverë i kemi kujtuar demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë, si një ngjarje kapërcyese apo si një prag i mirëvendosur që rreh poshtë një derë peshë rëndë, e cila e kishte mbyllur një epokë në njërën anë dhe e kishte hapur një epokë krejt të re në anën tjetër. Sivjet, në këtë përvjetor kur bëhen 45 vite nga demonstratat tona të ‘81-shit, jam i lumturuar që ju shoh të gjithëve këtu së bashku, për të ndarë kujtime dhe për të reflektuar mbi ngjarjet që i kanë dëshmuar atë kohë. Si drejtues i qeverisë së shtetit tonë, e kam kënaqësinë e veçantë të jem mikpritës i kësaj akademie përkujtimore, meqë ky takim është organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, asaj republike dhe asaj Kosove për të cilën është brohoritur aq fuqishëm dhe e cila është shkruar aq shumë pikërisht në demonstratat e vitit 1981. Akronimi KR, si nistore e parullës ‘Kosova Republikë’, përmbledh idealet politike të disa gjeneratave shqiptare të Kosovës, të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të kombit shqiptar në tërësi. Rrjedhimisht, kërkesa për Republikën e Kosovës, thirrja ‘Kosova Republikë’, është një nga shënuesit më me shumë kërkesa kuptimore politike në tërë filozofinë dhe historinë e mendimit politik modern shqiptar. Duke qenë në këtë sallë mes kaq shumë aktivistësh politikë, që janë organizatorë, pjesëmarrës, dëshmitarë e protagonistë të demonstratave të vitit 1981, mua nuk më takon të rrëfej për ngjarjet e asaj kohe, meqë për ju ato janë përjetime të ngulitura në kujtesën tuaj. Aq më tepër që pas meje këtu para jush do të flasë edhe Bajram Kosumi, i cili me librin e tij ‘Revolucioni 1981’, literaturën e memuaristikës politike për atë periudhë, me shkathtësi e ka ngritur në nivel të studimit shkencor. Por, duke përviuar një kronologji të zhvillimeve të pranverës së vitit 1981 në Kosovë, më lejoni që të bëj theksin te trashëgimia politike e demonstratave të vitit 1981. Në atë botë të kohës, para gjysmë shekulli, shqiptarët në Jugosllavi ishin populli më i shtypur dhe më i margjinalizuar politikisht, si dhe më i diskriminuar e i shfrytëzuar ekonomikisht mbi baza etnike”, tha Kurti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu duke kujtuar demonstratat nënvizoi edhe kontributin e të përfshirëve në demonstrata.
“Në fund të viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80, Kosova ishte vendi më i pazhvilluar në Jugosllavinë e atëhershme. Për vite me radhë, shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në një sistem të theksuar të nënpërfaqësimit politik, diskriminimit ekonomik dhe kufizimit të të drejtave kulturore. Papunësia ishte shumëfish më e lartë se sa në republikat e tjera. Zhvillimi ekonomik ishte i pabarabartë, ndërkaq përfaqësimi politik dhe qasja në vendimmarrje ishte e kufizuar. Ngjarjet nisën më 11 mars të vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës, si reagim i studentëve ndaj kushteve të papranueshme në mensën studentore. Por ajo që synohej si kërkesë sociale, shumë shpejt u shndërrua në artikulim politik. Brenda pak ditësh, protestat u zgjeruan. Më 26 mars dhe më pas më 1 dhe 2 prill, ato morën karakter mbarëpopullor. Qindra-mijëra qytetarë në Prishtinë dhe qytete të tjera vërshuan rrugët e Kosovës me parullat që u dëgjuan në të gjitha anët: “Kosova Republikë!”, “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!”, “E duam flamurin kombëtar!” Dhe shumë parulla të tjera. Këto parulla ishin vetëdije kolektive për liri, dinjitet dhe të drejtën e vetëvendosjes. Ato u shkruan në mure dhe në rrugë, shpesh natën dhe në rrezik të drejtpërdrejtë. Urdhërat e demonstratave u përsëritën nga një qytet në tjetrin derisa u kthyen në gjuhën e përbashkët për një lëvizje që nuk mund të izolohej. Atë pranverë, populli i Kosovës e ka thyer një tjetër tabu në imagjinatën e Jugosllavisë, që e trajtonte si periferi politike dhe ekonomike. Reagimi i shtetit jugosllav ishte i menjëhershëm, i koordinuar dhe i orientuar qartë drejt shtypjes së plotë të lëvizjes. Në Kosovë u dislokuan njësi speciale federative, të cilat ndërhynë me forcë dhe situata u trajtua si kërcënim politik dhe jo si shprehje legjitime e pakënaqësisë qytetare. Me përshkallëzimin e protestave në fund të marsit dhe fillim të prillit, autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme dhe vendosën masa rreptësisht kufizuese, përfshirë orën policore. Pas shtypjes së demonstratave pasuan: arrestime masive, procese gjyqësore dhe dënime, masa të diferencimit politik në shumë sektorë, përjashtime nga universiteti dhe largime nga vendet e punës dhe penalizime të tjera për studentët dhe profesionalistët Pasojat ishin të rënda: dhjetëra të vrarë, mijëra të arrestuar, procese gjyqësore politike dhe dënime të gjata me burgim. Por ajo që shpesh bie në sy është fakti se kjo lëvizje nuk pasqyronte vetëm protestë kundër sistemit shtypës, por ishte një kthjellim i vetëdijes kolektive dhe diferencim i qartë midis atyre që e pranonin status quo-në dhe atyre që kërkonin ndryshim. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e saj politike. Demonstratat e vitit 1981 krijuan një ndërgjegjësim të ri shoqëror, i cili ndryshoi në mënyrë rrënjësore mënyrën se si shqiptarët e Kosovës e shihnin veten dhe të ardhmen e tyre. Ishte brezi që ndryshoi drejtimin e historisë dhe që më vonë krijoi vazhdimësinë që u materializua me rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në këtë vijë historike, shumë nga ata që ishin aktivë në vitin 1981 u gjetën sërish në organizimet për çlirimin e Kosovës. Në këtë rast dua të theksoj edhe rolin e grave në demonstratat e vitit 1981, që ishte thelbësor në organizim dhe në mbarëvajtjen e ngjarjeve si në Kosovë, ashtu edhe në mërgim. Ato ishin të përfshira në strukturat organizative, në mobilizimin e studentëve dhe qytetarëve, si dhe në aktivitetet që paraprinë dhe pasuan demonstratat. Kontributi i tyre ishte i jashtëzakonshëm, i vazhdueshëm dhe i integruar në vetë funksionimin e lëvizjes”, tha Haxhiu.
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi tha se demonstratat e vitit 1981 janë historike.
“Ato lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive që në vitet e para rreth tyre u krijuan mitet të cilat edhe sot duken madhështore. Si miti i flamurit kombëtar, miti i vajzës para tankut, miti i plakut me karrige e me flamur, miti i përgjakjes së studentëve, miti i shkrimit të parullës ‘Kosova Republikë’ ose vetëm një ‘K’ e madhe dhe gjithandej e shohim tregime të tjera për ato ngjarje. Sot, mbas 45 vjetëve, ndihem krenar kur i dëgjojmë këto mite, kur lexojmë me çfarë pjekurie të flitet këtu, në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë apo në mërgatën shqiptare. Kujtesa jonë historike, kultura dhe vetëdija jonë politike sjellin ndërgjegjen tonë kombëtare, ka gdhendur këto demonstrata në shpirtin e shqiptarit përgjithmonë. Edhe shumë autorë të huaj, studiues, historianë, gazetarë e politikanë, e theksojnë rëndësinë themeltare të këtyre demonstratave duke vlerësuar se aty ka filluar ndryshimi i historisë së Kosovës por edhe i Jugosllavisë. Demonstratat e vitit ’81 janë të mëdha historike sepse me kërkesën për Republikën e Kosovës, ato e ndryshuan rrjedhën politike të historisë së Kosovës e të shqiptarëve në Jugosllavi. Ato e bënë kthesën, ato e ndanë historinë e Kosovës në dy epoka. Ato ndryshuan ose vunë të gjitha paradigmat politike, nacionale dhe strategjike të Kosovës dhe hapën shumë rrugë të reja për Kosovën dhe shqiptarët”, tha ai.
Pjesëmarrëse në demonstratat e vitit 1981 dhe s e ish-burgosura politike, Elmije Plakiqi foli për rolin e gruas dhe ndikimin e tyre.
“Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në Kosovën e pasluftës së dytë botërore. Ato filluan në mars të vitit 1981 si protestë studentore në Universitetin e Prishtinës, por shumë shpejt u shndërruan në demonstrata masive popullore me kërkesa politike. Demonstratat nisën si kërkesa për kushte më të mira studentore, por shpejt u artikuluan parullat “Kosova Republikë” e parulla të tjera me karakter politik. Edhe pse kanë kaluar mbi katër dekada nga zhvillimi i demonstratave të 81-shit, ditët nuk e kanë zbehur rolin dhe kujtesën e këtyre ngjarjeve, sidomos për ne pjesëmarrësit dhe organizatorët e tyre. Demonstratat e marsit dhe prillit të 81-shit ishin si një hyrje në kthesën e madhe që e priste popullin shqiptar të Kosovës. Ato ishin paraprijëse të ngjarjeve dhe protestave të mëvonshme të viteve ’89-’90, të formimit të celulave të para të UÇK-së dhe të luftës çlirimtare të këtij populli për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga okupatori serb. Rinia studentore në Kosovë, me fillim të viteve të 80-ta, përbënte një nga shtresat më të vetëdijshme dhe më aktive politikisht të shoqërisë. Roli i saj në demonstratat e vitit ’81 në Kosovë ishte jo vetëm nxitës, por edhe: Organizues Ideologjik, Mobilizues në shkallë vendi. Ajo luajti rol kyç në transformimin e pakënaqësisë sociale në një lëvizje të gjerë politike dhe kombëtare, me kërkesa të qarta politike për barazi kombëtare dhe avancim të statusit të Kosovës në Republikë. Demonstratat e vitit ’81 përbëjnë një pikë kthese në historinë politike të Kosovës. Roli i gruas në këto ngjarje ishte i shumanshëm dhe thelbësor, duke përfshirë pjesëmarrjen aktive, qëndresën ndaj represionit dhe kontributin në ruajtjen e identitetit kombëtar. Në këtë kontekst, roli i gruas shqiptare përbën një dimension të rëndësishëm të rezistencës shoqërore dhe kombëtare. Gruaja ka luajtur një rol vendimtar dhe aktiv në demonstratat e vitit ’81; ato ishin forcë politike, morale dhe pjesë aktive e demonstratave”, tha ajo.
Kryetari i Shoqatës së të burgosurëve politik, Shefik Sadiku foli për peripecitë që përballej Kosova.
“E donim me çdo kusht një kushtetutë të re, të nivelit shtetëror, jo kushtetutë çfarë ishte deri tash. Politika zyrtare jugosllave, në krye me kryesinë e saj të RSFJ-së, titoiste siç kishte shkuar, aty kishte përfaqësim, është e vërtetë, edhe Kosova, mirëpo përfaqësim politik shumë i parëndësishëm. E them këtë sepse ashtu ishte realiteti, shumë realitet i hidhur. Për çfarë ishte shumë zhgënjyese për shqiptarët? Kosova është element konstituiv i federatës së Jugosllavisë, ndërsa harronin se në Kushtetutën e Serbisë, (juristët që janë këtu dhe ata që nuk janë këtu), Kosova ka qenë me emrin 300 dhe 301 të Kushtetutës së Serbisë, pjesë përbërëse e Serbisë. Prandaj ky mashtrim kushtetues, ky mashtrim politik që iu bënte shqiptarëve, i ka nxitur demonstratat e vitit 1981 dhe të gjithë, pa përjashtim shtresat, që u grumbulluan me mijëra, kërkonin Kosovën që të bëhej republikë dhe të bëhej shtet. Kosovën sot e kemi shtet, por falë kësaj historie, i cili u burgos edhe u dënua bashkë ilegalisht me shumë shokë të tjerë. Të mos ju marr më shumë kohë se këta që folën parafolësit këtu, pothuajse ngjajmë diku. Do të kisha lexuar edhe unë, do të kisha folur edhe unë, por liria e ka çmimin që duhet ta dimë ta respektojmë”, tha ai.


