Nga Presidenca tregojnë se kur do të thirret seanca konstituive e Kuvendit

Prishtinë | 27 Mar 2025 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka nisur rrjedha e afateve ligjore për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar për Media pranë Presidencës, ka konfirmuar për Gazetën Express se seanca konstituive do të thirret brenda afatit kushtetues.

“Seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të thirret nga presidentja Osmani brenda afatit kushtetues”, ka thënë Kupina.

Presidentja Osmani në afat prej 30 ditëve prej certifikimit të rezultateve mund të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit për dhënien e betimit të deputetëve.

Theksojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Në një mbledhje pasditen e së enjtes në Prishtinë, KQZ-ja e miratoi certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve me 9 vota për dhe 2 kundër.

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve në këtë kohë, pasi partia e tyre ka kërkuar anulimin e votave me postë dhe rivotim me postë, pavarësisht se Gjykata Supreme e rrëzoi kërkesën e saj.

Të ngjashme