Nga paraqitja e sotme e akuzës nga prokurorët e Gjykatës Speciale, për fillim mund të ngrihen këto hipoteza:
E para, në bangën e zezë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës si organizatë, e jo vetëm individët. Pse? Sepse prokurorët përdorën dokumentet zyrtare të UÇK-së, hartat e zonat, folën për strukturat e saj dhe për politikat e saj, me synimin që të argumetojnë fajësinë e Shtabit të Përgjithshëm.
E dyta, akuza se janë ndërmarrë aksione kundër stacioneve policore të Serbisë dhe kundër figurave kolaboracioniste, përfshirë ish rektorin Papoviq, në kontekstin e një lufte të armatosur, duket e çuditshme.
Një organizatë çlirimtare cak legjitim i ka objektet dhe subjektet që identifikohen me pushtuesin. E treta, citimi i librave si libri “Kthesa e madhe”i Jakup Krasniqit, si material inkriminues, duket absurd. Logjikisht i bie që po të kishte gjëra për të fshehur, autori nuk do t’i ndante me publikun. E katërta, edhe nëse janë bërë krime ndaj civilëve të pafajshëm, gjë që nuk përjashtohet, por mbetet të vërtetohet nga dëshmitarët në vazhdimin e procesit, kjo vetvetiu nuk e ngarkon me fajësi as Shtabin e Përgjitshëm e as katër të akuzuarit në këtë proces.
Fajësia duhet të adresohet te kryesit e atyre akteve të dhunshme. Pse? Sepse në çdo luftë ka raste të daljes së individëve a grupeve jashtë kontrollit, jashtë urdhërave.
Rast i freskët dhe gjithsesi goditës është ajo që patën bërë disa ushtarë amerikanë në burgun Abu Graib në Irakun e pushtuar. Keqtrajtimet brutale të të burgosurve irakienë ishin akte indviduale të atyre ushtarëve dhe u adresuan si të atilla në gjykata, e jo në gjithë zinxhirin komandues.
Sidoqoftë, është dita e parë e procesit gjyqësor dhe na mbetet të shohim si do të zhvillohet në vazhdim.
Sa i përket prokurorisë, korniza e fajësisë kolektive për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u vendos sot.
Ajo kërkon inkriminimin e kauzës së UÇK-së dhe ndryshimin e historisë së çlirimit të Kosovës.