Nga regjistrimi elektronik i punëtorëve përfitojnë edhe punëdhënësit

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Një nga industritë kryesore në rajon, bujqësia, tradicionalisht, mbështetet shumë në angazhimin e punëtorëve sezonalë. Por, punëdhënësit përballen me probleme në punësimin e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe administratës kërkuese që është e nevojshme për të bartur punën sezonale nga zona gri në rrjedha ligjore. Punëtorët nga ana tjetër, janë ballafaquar me pasiguri në lidhje me kushtet e punës, me pagesën për punë ditore, lëndimeve të mundshme, dhe për shkak se shpesh nuk janë të paraqitur, aktivitetet bujqësore i kryejnë kryesisht pa sigurime shëndetësore dhe siguri në punë. Të dhënat nga Aleanca Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal (NALED) në Serbi tregojnë se para zbatimit të reformës së thjeshtësimit të  regjistrimit tëpunëtorëve sezonalë, rreth 95 për qind të punëtorëve sezonalë në bujqësi punojnë “në  të zezë” ,  pa ndonjë kontratë, që do të thotë se ata nuk ushtruan të drejtat e tyre që rrjedhin nga punësimi.

Si një nga masat për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, lehtësira në respektimin kornizave ligjore për punëdhënësit dhe për të luftuar ekonominë joformale, në fillim te këtij viti, është futur në Serbisistemi i regjistrimit elektronik, e-regjistrimi, për punëtorët sezonalë në sektorin e bujqësisë, zbatimi i të cilit u mbështet nga GIZ-i në emër të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, në bashkëpunim me NALED-in. Sistemi i regjistrimit elektronik të punëtorëve sezonalë ka dhënë përfitime të shumta për të tri palët, punëtorët, punëdhënësit dhe shtetin, duke inkurajuar angazhimin më të efektshëm të fuqisë punëtore, zhvillimin e mëtutjeshëm të bujqësisë dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Punëdhënësit që kanë biznese ose ferma private, tani, mund të paraqesin punëtorët në disa hapa përmes platformës on-line sezonskiradnici.gov.rs. Atyre u sigurohen gjithashtu dhe video udhëzime dhe një aplikacion mobil:  Sezonski radnici (Punëtorët sezonalë), i krijuar për t’i lehtësuar shfrytëzuesit, përdorimin e këtij shërbimi. Sistemi elektronik mundëson sigurinë për punëtorët, pasi atyre u paguhet kontributi pensional dhe sigurimi shëndetësor në rast të lëndimit në punë, e punëdhënësve u ofron një mundësi të thjeshtë për të paraqitur punëtorët në më pak se dhjetë minuta. Nga fillimi i vitit 2019 deri në mesin e gushtit, përmes këtij sistemi janë regjistruar mbi 20,000 punëtorë me 480,000 ditë pune të raportuara dhe 1.2 milion euro në taksa dhe kontribute në buxhetin e shtetit.

Një nga kompanitë që ka filluar përdorimin e sistemit të ri në biznesin e saj është “Çalma” nga Mitrovica e Sremit, e cila është e angazhuar në kultivimin e drithërave. Përvoja e tyre deri më tani ka treguar përparësitë e mëdha të regjistrimit elektronik të punëtorëve,  në lidhje me angazhimin në punë,  të rregulluar me kontratë, në formë te shkruar “Më parë kemi pasur shumë probleme me regjistrimin e punëtorëve sezonalë, sepse puna sezonale nuk njihej si një formë e veçantë e punësimit. Duhej të përdornim forma të tjera të angazhimit të punëtorëve, me kohë të caktuar, të cilat kërkonin shumë punë administrative. Sistemi elektronik i regjistrimit e ka bërë punën tonë shumë më të lehtë. Përparësia  kryesore e këtij sistemi është përdorimi i thjeshtë dhe mundësia për të regjistruar dhe çregjistruar punëtorët sezonalë në baza ditore, në përputhje me nevojat e biznesit, kështu që në këtë mënyrë ne mund të korrigjojmë me lehtësi listën e të lajmëruarve dhe të kemi një pasqyrë të situatës në terren në çdo kohë “, tha drejtori i kësaj kompanie, Goran Cikuša.

Përvojë të ngjashme ndan edhe ndërmarrja bujqësore “Graniçar” nga Shidi, e cila është e angazhuar në kultivimin e pemëve. Maja Lukic, Shefe e Shërbimeve të Personelit dhe kuadrove në këtë ndërmarrje, e ngarkuar me regjistrimin dhe  çregjistrimin e punëtorëve sezonalë, është e mendimit se avantazhi më i madh i regjistrimit elektronik është shpejtësia e procesit, e cila mund të përfundojë dhe për gjysmë minuti, si dhe kostot më të ulëta për taksat dhe kontributet në krahasim me mënyrën  e deritashme standarde të  regjistrimit administrativ.

Punëdhënësit në vetëm disa klikime, duke futur numrin personal të punëtorit, datën kur do të punësohet i punësuari dhe duke zgjedhur llojin e punës, mund të sigurojnë në mënyrë legale, ndihmë për punët bujqësore. Përveç personave juridik, sistemin mund të përdorin dhe personat fizik.

Regjistrimi elektronik gjithashtu ka sjellë shumë përfitime për punëtorët që kanë një pagë minimale të garantuar, sigurim në rast të lëndimit në punë, dhe sigurimin pensional. Ndërkohë, edhe pse janë të angazhuar shtesë gjatë sezonit, ata nuk humbin të drejtat e të papunëve ose llojet tjera të përfitimeve te realizuara. Meqenëse gjatë punës sezonale punëtori nuk fshihet nga regjistri i të papunëve, pagesa e kompensimit financiar të Shërbimit Kombëtar të Punësimit nuk pezullohet, as nuk ndikon në përdorimin e të drejtës për ndihmë financiare sociale.

Punëdhënësit konfirmojnë që si ata, ashtuedhe punëtorët janë të kënaqur në mënyrë të barabartë me efektet e zbatimit të sistemit. Sipas të dhënave të kompanive që morën pjesë në program, punëtorët më parë kishin shmangur regjistrimin e tyre, për shkak të komplikimeve që kishin rreth ri-aplikimit në Agjencinë e Punësimit dhe fondin për sigurime pensionale -invalidore.

Efikasiteti i sistemit të regjistrimit elektronik reflektohet edhe në faktin se punëtorët mund të kontrollojnë, në çdo kohë, me telefon celular, nëse janë regjistruar, cili punëdhënës i ka regjistruar,  dhe për cilën periudhë kohore.

Aleanca Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik Lokal thekson se sistemi i regjistrimit elektronik është një hap i rëndësishëm në digjitalizimin e administratës publike, pasi mundëson gjithashtu dhe lidhje më të shpejtë të punëdhënësve dhe personave me aftësitë e kërkuara. Shërbimi Kombëtar i Punësimit (SHKP) mban regjistrimet elektronike të punëtorëve sezonalë, bazuar në të dhënat që merr direkt përmes portalit sezonskiradnici.gov.rs.Kjo do të thotë, që punëtorët e punësuar nga punëdhënësit në këtë mënyrë, futen automatikisht në regjistrin e punëtorëve sezonalë, së bashku me informacionin se në cilat punë kanë qenë të  angazhuar. Gjithashtu, në evidencën e punëtorëve sezonal në SHKP, me kërkesë personale mund të futen persona të interesuar për kryerjen e punëve sezonale, duke futur të dhënat personale,të dhënat për kualifikimet dhe përvojën në punët sezonale. Sipas statistikave, punëtorët sezonalë në Serbi janë të angazhuar më së shpeshti në vjeljen e frutave, përgatitjen e tokës, mbjelljen, korrjen dhe pastrimin, klasifikimin, paketimin dhe ruajtjen e pemëve dhe perimeve.

Efektet e futjes së këtij sistemi në Serbi kanë një rëndësi të madhe për shtetin dhe buxhetin dhe përbëjnë pjesë të një fronti të gjerë për luftimin e ekonomisë joformale. Sipas të dhënave me të cilat disponon NALED, në këtë mënyrë janë paguar më shumë se 300 mijë € taksa dhe mbi 900 mijë euro kontribute në buxhetin e Republikës së Serbisë. Analiza e efikasitetit të sistemit elektronik deri më tani, tregon se përfitimet e zbatimit të tij pasqyrohen në faktin se ekonomia ka shpenzime më të ulëta administrative dhe financiare, gjersa shteti fiton një sistem të rregulluar, kontroll dhe inkasim më të efektshëm, një shkallë më të ulët të ekonomisë gri,punësime më të larta dhe të ardhura nga taksat.

Efektet pozitive të sistemit elektronik për regjistrimin e punëtorëve sezonalë në bujqësi tanimë janë të prekshme, gjersa përshtatshmëria dhe lehtësia e përdorimit të sistemit hap mundësinë e aplikimit dhe në vendet tjera të rajonit. Kjo është arsyeja pse, në bashkëpunim me ekspertë dhe institucione shtetërore dhe me mbështetjen e Qeverisë gjermane-të realizuar nga GIZ, përmes hulumtimit të tregut po analizohen mundësitë e zbatimit të sistemit në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe  Maqedoni Veriore. Duke marrë parasysh nevojat e sektorëve të ndryshëm për punëtorët sezonalë në të gjithë rajonin, zgjidhja e prezantuar nga Serbia mund të japë një shembull të praktikës së mirë me qëllim të përmirësimit të pozitës së punëtorëve sezonalë dhe krijimit të një sistemi më efikas të evidentimit të tyre në tregun e punës, gjë që lehtëson punën për punëdhënësit, dhe në përgjithësi kontribuon në përmirësimin e mjedisit ekonomik.

Të ngjashme