E arritëm edhe ditën kur Sekretari amerikan i Shtetit e falëmnderon Presidentin e Serbisë për konstruktivitet dhe zëvendësi i tij e takon ministrin e Jashtëm serb për t’i ofruar mbështetje.
Të mos harrojmë, Vuçiqi është ai i njëjti që kërcënonte se për një serb të vrarë do të vriten 100 boshnjakë, kurse Daçiqi është ish-zëdhënësi i Kasapit të Ballkanit, Milosheviqit.
Breza të tërë të shqiptarëve të Kosovës kanë luftuar që të fituar mbështetjen ndërkombëtare. Vetëm kur kjo mbështetje e fitua, u fitua edhe liria edhe pavarësia.
A është rastësi? Vështirë!
Vetëm pak vjet më herët, Albini, Ramushi dhe Fatmiri e kallën Kosovën kundër demarkacionit, nuk ia bënë dert as lutjeve të sekretarit amerikan John Kerry, për ta votuar më vonë të njëjtin (pavarësisht çka na thonë).
Njëjtë, Albini nguli këmbë për targa, për të pranuar të njëjtën (pavarësisht çka na thonë).
Edhe tash, të shpresojmë se do ta nxjerrim më të mirën nga situata.
Por, ajo që nuk ndryshon, është se Vuçiqi dhe Daçiqi, dy liderë serbë, fytyrat kryesore të katër luftërave gjakatare të Serbisë, ata që edhe sot nuk i kanë vënë sanksione Rusisë, po ledhatohen nga SHBA-ja, për herë të parë pas 30 e kusur vjetësh.
Jetuam aq gjatë për ta parë edhe këtë ditë!
Nuk janë “isharete” të mira!