Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është në Kategorinë “A” të sporteve. Por buxheti që do ta përfitojë këtë vit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) do të jetë dukshëm më i vogël krahasuar me atë që kishte përfituar vitin e kaluar.
FFK-ja, si federata më e madhe në vend, në bazë të vendimit të MKRS-së për vlerën financiare të një pike, do të marrë 251 mijë e 485 euro, kurse vjet mori 367.500 euro nga 490 mijë sa i ishin premtuar, shkruan sot Koha Ditore.
Në bazë të kategorizimit të bërë ditë më parë, FFK-ja u rendit në Kategorinë “A” me 77.38 pikë dhe në bazë të kësaj, ajo do të marrë pak mbi 251 mijë euro.
Një pikë e Kategorisë “A” për sportet kolektive është vlerësuar 3.250 euro, ndërkohë një pikë e federatave të sporteve individuale të Kategorisë “A” është vlerësuar 1.650 euro.