“Nga takimet e Osmanit dhe Kurtit në Konferencën e Sigurisë nuk ka pasur asgjë konkrete”

Prishtinë | 21 Shk 2022 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, kanë qëndruar për dy ditë e gjysmë në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih të Gjermanisë.

Në lidhje me vizitën e tyre ka folur ish-ministri i punëve të jashtme, Anton Berisha, duke thënë se nga takimet që kanë mbajtur nuk ka pasur asgjë konkrete, përveç ky përshkrimi me nuance propagandistike sipas tij, njofton Klankosova.tv.

“Kur shikohet nga përmbajtja shihet se janë dubluar, presidentja me kryeministrin, ministrja e jashtme ka mbajtur vetëm shënime. Nga këto takime nuk ka pasur asgjë konkrete, përveç ky përshkrimi me nuance propagandistike”, është shprehur Berisha në Infomagazine.

“Konferenca e Sigurisë së Mynihut është konferencë vjetore dhe është më e madhja në fushën e sigurisë, vetë fakti që është vjetore, paraprakisht dihet data e saj, pjesëmarrja. Për shkak të pandemisë dhe krizës me Ukrainën, kjo konferencë ka pasë disa specifike që e kanë dalluar me vitet e tjera, por ajo që dihet se kanë marrë pjesë vetëm 30 krerë të shteteve dhe afër 80 ministra, duke qenë se është e sigurisë sipas praktikave dhe sipas përmbajtjes këtu marrin pjesë ministra të Mbrojtjes dhe të Politikës së Jashtme”, ka thënë Berisha.

Berisha theksoi se presidentja dhe kryeministri kanë qenë në nivel të rendit të dytë apo të tretë të përfaqësuesve të shteteve të ndryshme.

“Delegacioni kosovar paraprakisht është dashur që presidenca dhe kryeministri të paraqesin planin e tyre se çka dëshirojnë nga kjo konferencë dhe pastaj të angazhoheshin ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadat, konsullatat çka kemi në Gjermani dhe ata të komunikojmë për të parë se a mund të realizohen takime ekuivalente, presidentja duhet të ketë takime ekuivalente, poashtu edhe kryeministri. Nëse shërbimi diplomatik vjen në përfundimin që nuk mund të realizohen ato shumë takime, së paku njëri prej tyre, kryeministri apo presidentja është dashur të tërhiqet në mënyrë që të mos ul nivelin e prezantimit, se ata nuk prezantojnë vetën, por shtetin, dhe siç u pa edhe presidentja si kryeministri kanë qenë në nivel të rendit të dytë apo të tretë të përfaqësuesve të shteteve të ndryshme. Në përmbajtje nuk kanë pasur asnjë takim me shtete partnere”, shtoi ai.

Të ngjashme