Xhudistët fitojnë shumicën dërmuese të medaljeve për Kosovën në gara prestigjioze ndërkombëtare. Por medaljet e tyre kanë munguar që nga muajt shkurt.
Garat e xhudos, njëjtë si të sporteve të tjera, janë anuluar apo janë shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.
Për herë të fundit xhudistët kosovarë kanë fituar medalje në “Grand Slamin” e Parisit, gjashtë muaj më parë.
Distria Krasniqi kishte fituar medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë.
Të dy xhudistet kishin garuar më 8 shkurt. Në shkurt ishte mbajtur edhe gara “Grand Slam” në Duesseldorf, por xhudistët kosovarë nuk garuan.
Ndërkohë koronavirusi nisi të përhapej, kufijtë u mbyllën dhe garat e xhudos u anuluan. Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) po punon për kthim të garave. Së fundi, IJF-ja ka prezantuar protokollin për kthim në gara, ndërsa ky hap është mirëpritur nga trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Kuka pret që prej tetorit të vazhdohet me gara ndërkombëtare të xhudos, të nivelit të lartë ndërkombëtar.
“IJF-ja ka dërguar protokollin për gara, që është sinjal që në tetor do të fillohet me gara. Të paktën unë i kam këto informata. Me shumë mundësi gara e parë do të jetë ‘Grand Prix’ në Budapest”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN të hënën.
“Nuk ka ndonjë vendim zyrtar për mbajtje të garave, por me këtë protokoll hapet rruga. Qeveria e Hungarisë ka përgatitur një protokoll për një ngjarje sportive, që është i përafërt me këtë të IJF-së. Ky është një sinjal pozitiv. Po ashtu në Hungari lejohet hyrja prej shteteve të ndryshme dhe kjo rrit gjasat për garën e parë në tetor në këtë vend”, ka shtuar Kuka.