(Edona Kutleshi) Universiteti i Prishtinës shumë shpejt do të bëhet me softuerin antiplagjiaturë. Ky sistem do të mundësojë identifikimin e plagjiaturës në temat e diplomës të mbrojtura në këtë universitet.
Përmes një përgjigjeje me shkrim Rektorati i UP-së e ka konfirmuar për gazetën se softueri pritet të jetë funksional nga viti i ardhshëm. Në këtë sistem do të futen temat e të gjitha niveleve, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ju njoftojmë se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është në fazën finale të specifikimit të kritereve teknike për softuerin antiplagjiaturë. Menaxhmenti i Universitetit beson se ky softuer do të jetë funksional gjatë vitit kalendarik 2019”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Rektorati ka bërë të ditur se shuma e përgjithshme e projektit për këtë sistem është përafërsisht 50.000 euro.
“Softueri antiplagjiaturë do të jetë në dhe për gjuhën shqipe, si dhe do të vlejë për të gjitha temat e diplomave në secilin nivel të studimeve”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.