Janë paralizuar punimet në ndërtimin e vendkalimit të ri kufitar Bellanoc – Stançiq, që lidh Maqedoninë me Kosovën, për shkak të shembjes masive të dheut.
Edhe pse punimet ishin planifikuar të përfundonin në fillim të këtij viti, deri tani gjithçka duket larg. Këtë e pohojnë edhe banorë të kësaj zone që janë pjesë e projektit dhe që nuk duan të japin shumë detaje.
“Po njëherë u tha në fund të vitit do të jetë gati, më pas në fillim të vitit, por tash problem, se po shembet dheu dhe janë ndërmarrë masa shtesë sigurie, për shkak të rrëshqitjes së tokës”, thekson për INA, një banor që thotë se është përfshirë në punime.
Dheu i shembur ka zënë tërë rrugën, duke iu afruar dhe rrezikuar ndërtesën e pikës kufitare. Vetëm pak hapa janë që dheu të mbërrij tek objekti që tashmë është në fazën fillestare.
Ylli Osmani, inxhinier i projektit të kufirit kohë më parë për disa media ka konfirmuar problemin e rrëshqitjes së dheut.
“Rrëshqitjet siç shihen në pjesën e kodrave, shkaktojnë pasiguri në ndërtimin e objektit si dhe në punimet e tjera që do të bëhen. Firmat e kontraktura nga BE-ja si dhe nga vetë ana ofertuese e projektit, kanë marrë mostrat të cilët javën e kaluar janë bërë ku janë bërë tri shpuarje nga 30 metra, si dhe janë hapur dy gropa për marrjen e materialeve dhe këto shpuarje do të tregojnë saktësisht se çka do të ndodhë në të ardhmen për t’i vazhduar punimet tjera”, kishte theksuar Osmani, pak muaj më parë.
Nga Qeveria në Shkup të pyetur lidhur me problemin e krijuar thonë se në realizimin e projektit janë angazhuar kompani profesionale që do të evitojnë çdo pengesë dhe me sukses do të finalizohet i tërë projekti. Sipas tyre, gjithçka varet nga punimet rreth këtij projekti që e financon Bashkimi Evropian.
Shuma e përgjithshme e projektit kap vlerën e 1.2 milion euro të siguruar nga Bashkimi Evropian. Në ditën e vënies së gurthemelit në qershor të vitit të kaluar u tha se projekti pritet të përfundojë në fund të 2018.