Ngjarjet që kanë dominuar gjashtë muajt e presidencës Trump

Prishtinë | 19 Kor 2017 | 19:07 | Nga

Presidenca e Donald Trump, një biznesmen i fuqishëm i pasurive të paluajtshme, i cili bëri emër edhe në ”reality show”, dallon nga paraardhësit e tjerë.

Më poshtë vijojnë disa nga ngjarjet që kanë dominuar gjatë gjashtë muajve të parë të marrjes së detyrës së tij si president i vendit, shkruan DPA.

HETIMI I NDËRHYRJEVE RUSE NË ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Shërbimet sekrete amerikane kanë akuzuar nivelet më të larta të qeverisë ruse për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit në favor të Trumpit, edhe pse presidenti ka mohuar se mund të ketë patur ndonjë bashkëpunim në fushatën e tij.

Këshilltari special, Robert Mueller u emërua më 17 maj nga Departamenti i Drejtësisë për të drejtuar një hetim të pavarur lidhur me këtë çështje.

Mendohet se ai është duke hetuar çështjen e ish-këshilltarit të sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, shkarkimin e drejtorit të FBI-së, James Comey dhe një takim të vitit 2016 që Donald Trump Jr. ka zhvilluar me një avokate ruse.

TREGTIA

Një ndër hapat e para të Trumpit kur ai erdhi në detyrë në muajin janar ishte tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja e Partneritetit Transpacifik.

Gjithashtu, ai ka kërkuar rinegocimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të vendeve të Amerikës së Veriut me Meksikën dhe Kanadanë, dhe bisedime që priten të zhvillohen në muajin gusht.

Trump u tërhoq nga premtimet e fushatës për të deklaruar Kinën një manipulator të monedhës duke thënë se ai kishte nevojë për ndihmën e Pekinit për të ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut.

Por, kohët e fundit ai e ka quajtur Bashkimin Evropian një organizatë “proteksioniste” dhe ka bërë thirrje që pakti i tregtisë së lire SHBA-BE të jetë më “reciprok”, shpesh duke përmendur suficitin e madh tregtar të Gjermanisë.

Ndërkohë, ai ka pohuar se një pakt tregtar i SHBA-së me Britaninë e Madhe do të ishte “shumë i fuqishëm” dhe palët mund bien dakort “shumë shpejt”.

SIGURIA KUFITARE

Një urdhër ekzekutiv i Trumpit në javën e parë të detyrës së tij si president kërkonte “ndërtimin e menjëhershëm të një muri fizik në kufirin jugor” dhe më shumë qendra paraburgimi për emigrantët që gjendeshin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Kërkesa e tij e përsëritur për Meksikën për të paguar për ndërtimin e murit, bëri që presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto të anulonte vizitën në Shtëpinë e Bardhë.

Një javë më parë, Trump sugjeroi se muri do të ishte transparent dhe i pajisur me panele diellore.

NDALIMI I UDHËTIMEVE

Urdhrat ekzekutiv të Trumpit që ndalonin refugjatët për 120 ditë dhe ndalimi i udhëtarëve nga disa vende myslimane për 90 ditë kanë qenë subjekti i shumë mosmarrëveshjeve ligjore.

Pas bllokimit të këtyre masave nga Gjykatat më të Ulëta, Gjykata Supreme tha muajin e kaluar se do të zhvillonte një seancë dëgjimore e cila pritet të mbahet në tetor.

Gjykata e lartë lejoi që dy dispozitat kryesore të mund të hynin në fuqi, por bënë kërkesë për përjashtimin e personave me një “marrëdhënie mirëbesimi” (që nuk kanë qëllimin për të mashtruar në SHBA), duke përfshirë lidhjet familjare ose lidhjet e biznesit, në pritje të një vendimi përfundimtar.

Ka patur diskutime të shumta nëse çështja mbi ndalimin e udhëtimeve mund të diskriminojë në mënyrë të paligjshme ose jo në bazë të fesë ose races shumë persona të prekur nga këto masa.

LAJME TË RREME (FAKE NEWS)

Trump ka hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme mediat kryesore amerikane , përfshirë televizionet si CNN dhe MSNBC si edhe gazetat ”Washington Post” dhe “New York Times” duke përdorur shpesh faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter” me rreth 34 milionë ndjekës dhe duke i quajtur raportimet e tyre “lajme të rreme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme