“Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim të kujtesës dhe historisë së luftës së UÇK-së

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificës për liri dhe kujtesës kolektive.

Në ekspozitë janë prezantuar vepra të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve të mediumeve të ndryshme, të cilët përmes krijimtarisë së tyre kanë trajtuar luftën e UÇK-së, sakrificën, viktimat dhe pasojat e luftës.

Në ceremoninë e hapjes, në emër të platformës “Liria ka Emër”, foli Eliza Hoxha, e cila theksoi rëndësinë e artit si një prej mënyrave më të fuqishme për ta ruajtur dhe përcjellë kujtesën historike te brezat e rinj.

“Liria jonë ka një histori, ka emra, ka sakrificë dhe ka kujtesë. Përmes artit, kjo histori merr një gjuhë tjetër, por mesazhi mbetet i njëjtë: liria që e gëzojmë sot është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave dhe ajo duhet të kujtohet, të nderohet dhe t’u përcillet brezave që vijnë”, tha Hoxha.

Ajo theksoi se ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” synon ta sjellë historinë e luftës çlirimtare edhe përmes perspektivës së artistëve, duke e bërë artin dëshmi të kujtesës kolektive.

Ekspozita është pjesë e aktiviteteve të platformës “Liria ka Emër”, me synimin që përmes artit, kulturës dhe angazhimit qytetar të ruhet dhe të përcillet historia e luftës çlirimtare dhe vlera e lirisë.

Të ngjashme