Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se vetëm dhjetë muaj pasi kishte ndodhur një ngordhje masive e peshkut në lumin Mirusha, e njëjta situatë është përsëritur, por në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit Mirusha, përkatësisht në kanionin dhe Ujëvarat e Mirushës.
Po sipas njoftimit, sasia e peshkut të ngordhur duke të jetë mjaftë e madhe, përderisa nuk dihen shkaqet e kësaj këtij incidenti.
“Me të marrë informacionin për ngordhjen masive të peshkut në pjesën e Ujëvarave të Mirushës, në vendngjarje kanë dalë inspektorët komunal të Malishevës, njësitë policore dhe shoqata e peshkatarëve sportiv ‘Sykuqi’”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se inspektorët komunal, kanë marrë mostrat e ujit dhe të peshkut, ndërsa lidhur me rastin janë njoftuar edhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht inspektorët e departamentit të ujërave.
“Deri më tani nuk dihen shkaqet e ngordhjes së peshkut, ndërsa dhjetë muaj më parë, por në pjesën e epërme të rrjedhës së lumit Mirusha, kishte ndodhur një ngordhje masive e peshkut”, përfundohet në njoftimin e Komunës së Malishevës.