Masa për mallrat serbe qenka hequr. Jo vetëm kaq, është hequr pa fituar asgjë si kundërvlerë.
Qeveria pati thënë se masa jonë është e sigurisë, jo tregtare. Pra, Serbia e Putinit na sulmoi, ne e bllokojmë. Çfarë ka ndryshuar sot? Serbia qenka disiplinuar?! A është i njëjti president ende atje? Kujt po ia bëjmë kompromisin? Kë po e shpërblejmë?
Manuel Sarrazin, i dërguar i kancelarit Scholz i kishte propozuar skanerët që nga qershori. Kurti kishte refuzuar atëbotë. Çfarë ndryshoi sot? Vetëm një gjë: kërcënimi u bë serioz dhe i prekshëm. Kosova do përjashtohej nga CEFTA, nga Fondi i Rritjes dhe nga Procesi i Berlinit.
Strategjia e Kurtit në të folmen popullore quhet “ngreh e mos këput”. Sa herë laku shtrëngohet, ky edhe tërhiqet. Sepse nuk ka humbje ma t’madhe se vetja e tij në pushtet. Është kështu kur superegoja ka formën e rolit historik. Vetëm kur je i këtij soji e mendon veten si më të mirin edhe kur sulmon edhe kur dorëzohesh.
Sa herë vjen puna te pykat, në fakt nuk vjen puna te pykat. Sepse kryeministri tërhiqet. Ky ishte mësimi me urën dje, ky është mësimi me heqjen e bllokadës për mallrat serbe sot. Por, kryeministri duhet ta dijë se kompromisi tashmë e ka mësuar rrugën. Sa më konkret e i prekshëm presioni, aq më i qartë kompromisi.
Për profilin politik-ideologjik të Kurtit rastësi nuk ka, gjithçka na tregon analiza shkencore, pastaj veprojmë. Ka veçse një rastësi: ditën kur tërhiqet, rriten pensionet.