Ngrihet aktakuzë për gruan që dyshohet se e vrau kunatën duke e goditur me dru, laminat e dërrasë

Prishtinë | 14 Kor 2023 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës N.A, për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit të prokurorisë, e pandehura N.A, më 23 dhjetor të vitit 2022, dyshohet se me dashje, duke e goditur me dru ahu, pjesë të laminatit dhe copë dërrase, e ka vrarë motrën e burrit të saj, viktimën S.D.

“Sipas aktakuzës, e pandehura N.A., me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes – motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që më datë 23.12.2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D., e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës N.A., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, me një dru të ahut, me një pjesë të laminatit dhe me një copë dërrase të llamperisë, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundi e godet në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi, me datë 26.12.2022  rreth orës 05:30 viktima S.D., vdes”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se prokurori i çështjes, i ka propozuar gjykatës që e pandehura N.A., për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore.

Të ngjashme