Në Prishtinë u inaugurua lapidari për dëshmorët e parë të demonstratave të vitit 1981, Naser Hajrizin dhe Asllan Pirevën, raporton Ekonomia Online.
Veprimtari i çështjes kombëtare Fazli Veliu tha se rruga drejt lirisë nuk kishte alternativë tjetër përveç rezistencës.
“Kur e gjithë Jugosllavia ka qenë kundër qenies shqiptare u vërsulën kundër dy të rinjve në mënyrën më barbare. Që tq dy hapën kraharorin si Mic Sokoli dhe dhanë shembullin se si mbrohet atdheu kundër armikut. Po të mos ishte kjo rezistencë nuk do të ishim këtu. Këtu do të ishin sllavët. Nuk u pajtuan me autonominë. Nuk kishim rrugëdalje tjetër: të mblidhemi dhe të themelojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha Veliu.
Kryetari i Shoqatës së Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, rikujtoi demonstratat e marsit 1981 dhe represionin jugosllav ndaj shqiptarëve.
“Filluan demonstratat më 11 mars dhe vazhduan deri më 26 mars. Janë arrestuar shumë njerëz. U tërbua politike jugosllave, përgjegjëse për të gjitha krimet. Ne me përkushtim të madh i përkujtojmë të rënët “, tha Sadiku.
Përfaqësuesi i familjes Hajrizi Bujari pohoi se dëshmorët sakrifikuan gjithçka për liri.
“Vendin më meritor e zënë dëshmorët, sepse dhanë gjithçka, duke mos kursuer as jetën. Ata u burgosën dhe u ushqyhen me patriotizëm. Dëshmorët e dinin se rruga drejt lirisë ishte shumë e vështirë dhe me shumë sakrifica. Gjaku i tyre u bë kushtrim lirie”, tha Bujar Hajrizi. /Ekonomia online