Është ngritur sot Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK.
Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) janë miratuar me 11 vota pro, projektaktet për emërimin e 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme.
Tetë prokurorët e parë të SPAK janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho.
Prokurorët në SPAK do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Kështu, në ligjin nr 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” thuhet se “Mandati fillon ditën kur bëhet ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës. Data e betimit i njoftohet dhe Këshillit dhe përfshihet në dosjen personale”.
Gjatë mbledhjes së KLP, u tha se ky vendim hyn në fuqi me datë 19 dhjetor 2019 dhe botohet në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave
Në ditën e ngritjes së SPAK, Partia Demokratike reagon duke përshëndetur ngritjen e asaj strukture, e cilësuar si “mekanizimi i duhur kushtetues për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
Në deklaratën e PD, thuhet se “megjithëse qeveria bëri gjithçka për ta vonuar ngritjen e SPAK-ut me 3 vjet, Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e tij dhe të Byrosë Kombëtare të hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture”.
Por Partia Demokratike nuk ka munguar të reagojë mbi këtë temë edh pas propozimit të masave të ashtuquajtura KÇK kundër korrupsionit, “që nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias” dhe duke denoncuar faktin që “SPAK ka përballë të njëjtin kundërshtar që e pengoi për 3 vjet me radhë. Me një shfaqje qesharake propagandistike, Edi Rama, njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më parë”//ATSH, A2CNN.