Tashmë kemi dëgjuar që ngrirja e artikujve vërtet është e shëndetshme, mirëpo për të ruajtur të gjitha cilësitë është e nevojshme që ngrirja të bëhet në mënyrë të duhur.
Nëse pemët vilen apo blihen të pjekura dhe pastaj përpunohen dhe ngrihen në afatin prej 48 orëve nga vjelja, ato nuk do të humbin vlerat nutritive dhe mund t’i hani edhe gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit.
Dëshironi që frutat tuaja t’i mbani të freskëta për ditët më të ftohta, respektoni këto rregulla dhe kënaquni me pemë të shëndetshme, transmeton Telegrafi.
Si t’i ngrijmë pemët e freskëta të sezonit?
1. Lani dhe pastroni pemët në ujë të ftohtë apo të vakët sikur do t’i hani menjëherë. Duhet të qërohen mollët, dardhët, pjepri dhe pjeshkat, ndërkaq kumbullat sipas dëshirës.
2. Nga pema nxirrni bërthamën, ndukni bishtat dhe grini në copa të vogla. Frutat e vogla, siç janë pemët e malit dhe rrushi, mund të ngrini të plota.
3. Në pjatë apo në enë të cekët radhisni pemët vetëm në një shtresë, që të mos bashkohen apo të mos ndrydhen. Futni ashtu në frigorifer me ngrirje të thellë dhe lini të qëndrojnë ashtu disa orë.
4. Pasi që pemët të forcohen futni në qese plastike të cilat përdoren për ngrirje. Vetë përcaktoni sasinë, ndërkaq rekomandimi ynë është që doza të jetë për racion të vogël, ashtu që të mund të shkrini sipas nevojës.
5. Provoni sa më shumë t’ia nxirrni ajrin nga qesja para se ta mbyllni dhe ta fusni në frigorifer, mirëpo kujdes ndaj pemëve të buta siç janë dredhëzat, manaferrat dhe mjedrat, sepse mund të ndrydhen.
Sa mund të qëndrojnë pemët të ngrira?
Edhe pse pemët e ngrira janë të shëndetshme, mos mendoni se cilësia e tyre me qëndrim në frigorifer është e përhershme. Përkundrazi, mu sikur edhe mishi, edhe pemët e ngrira kanë afatin e qëndrueshmërisë, i cili varet nga vetë fruta.
Deri në 12 muaj: mollët, dredhëzat, fiku, kumbullat dhe rrushi.
Deri në 10 muaj: pemët e malit, limoni, kungulli, kungulli i Misirit, kungulleshat.
Edhe çka mund të ngrij?
Pjepri: Qëroni pjeprin dhe priteni në kube, qitni sheqer dhe ngrijeni. Pas shkrirjes shtoni pak lëng limoni dhe pak rum.
Pjeshkat dhe nektarinat: Frutat pak më të forta qëroni dhe pritni në feta, zieni shpejt (rreth 20 sekonda), qitni sheqer dhe ngrini. Frutat e buta ngrini pa sheqer.
Sallata e pemëve: Pemët e malit lani mirë dhe qitni sheqer apo qitni shurup dhe pastaj ngrini.