Ngriten 60 aktakuza ndaj 80 personave nga Prokuroritë Themelore

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Prokurori i Shtetit, njofton opinionin se gjatë 24 orëve të fundit prokuroritë themelore kanë ngritur 60 aktakuza kundër 80 personave për vepra të ndryshme penale, si dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar 10 persona për vepra të ndryshme penale.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë bërë 7 kërkesa për caktimin e paraburgimit për 48 orë të 7 personave për vepra të ndryshme penale, si dhe, është bërë një kërkesë për sekuestrim të përkohshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit kujdestar ka ndaluar 6 persona. Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë 1 kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 1 personi për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit njofton opinionin se janë ngritur 11 aktakuza, ndaj 13 personave, në Departamentin e Përgjithshëm janë ngritur 10 aktakuza për 12 persona, si dhe 1 aktakuzë ndaj 1 personi në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Në Prokurorinë Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, janë ngritur njëzet e 21 aktakuza, për 37 persona. Ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda është ngritur 1 aktakuzë për 1 person. Gjatë 24 orëve të fundit Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona në dy raste të ndara, kurse Departamenti për të Mitur ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për një person.

Në Prokurorinë Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit është bërë një kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të miturit për veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28, të KPRK-së. Prokuroria Themelore e Pejës, gjatë 24 orëve ka ngritur 9 aktakuza në Departamentin e Përgjithshëm, kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 24 maj 2019, ka ndaluar 2 persona, për shkak të dyshimit të veprave penale, ‘’Legalizim i përmbajtjes së rremë’’ dhe ‘’Falsifikim i dokumenteve’’, si dhe ndaj tyre ka paraqitur kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Gjilan. Gjithashtu, ka ngritur 5 aktakuza, kundër 5 personave, për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin se për 24 orët e fundit ka ngritur 4 aktakuza kundër 4 personave, për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare“, “dhuna në familje” si dhe “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një person për veprën penale “grabitje e armatosur”, si dhe, ka bërë një kërkesë për sekuestrim të përkohshëm. Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur 6 aktakuza kundër 6 personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj- Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar 1 person për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, si dhe, ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi.

Prokuroria Themelore në Ferizaj-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur 3 aktakuza ndaj 6 personave për vepra të ndryshme penale.

Me datë 24 maj, Prokuroria Themelore e Pejës ka mbajtur konferencë për media, lidhur me ngritjen e 20 aktakuzave, ndaj 21 të pandehurve lidhur me listat e veteranëve të luftës.

Të ngjashme