Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës S.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e njëjta ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, e pandehura S.K., “si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që me datë 22.12.2021 rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studenqan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke mos qenë pronë e të dëmtuarit por pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan – Komuna e Suharekës, të cilin e dërgon në pllacin ndërtimor të kreditorit B.G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës”.
Me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit”, përfundon njoftimi.