Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzën ndaj të akuzuarit T.F, për vrasjen e rëndë në Klinë ndaj mikut e njëkohësisht dhëndrit të tij viktimës, A.P. Ai po ngarkohen edhe për tri vepra tjera përfshirë “armëmbajtje pa leje”, “shtrëngim” dhe “marrje në posedim të pasurisë së luajtshme”.
Seanca fillestare në këtë rast pritet të mbahet në fund të muajit mars të këtij viti pranë Gjykatës Themelore në Pejë.
Sipas aktakuzës ai, po akuzohet se më 7 gusht 2023, privon nga jeta A.P., si dhe vë në rrezik jetën e personave të tjerë dhe atë të dëmtuarit F.R.
Gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ai ngarkohet se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P.,, duke e lënë në vend të vdekur.
Me këtë thuhet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173 par.1 nën par. 1.5 të KPRK-së.
Pos për vrasje të rëndë, ai ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje pasi i janë gjetur një revole me dhjetë fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga, këllëf të pistoletës, një shufër metalike, trembëdhjetë fishek të gjallë, dy fishek të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës, dhe një thikë.
Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë”, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë thuhet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192 par.2 nën par.2.1 dhe 2.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë gjithashtu thuhet se pas ndalimit të veturës nga i dëmtuari e më të larguar nga vetura, e merr veturën dhe arratiset e ku me pas atë veturë e lë tek shtëpia e tij, e që me këtë veprim ai akuzohet edhe për “marrja në posedim të pasurisë së luajtshme” nga neni 319 par.1 i KPRK-së.
Në aktakuzë prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar që në rastin e shpalljes fajtor të të pandehurit si rrethana rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit të merren për bazë, mënyra e kryerjes së veprës penale, e kaluara kriminale e të pandehurit, lidhja familjare e të pandehurit me viktimën, i ndjeri i kishte ndihmuar disa herë të pandehurit.
I akuzuari ishte i dënuar edhe me dy aktgjykime të formës së prerë, e që sipas aktakuzës, kjo ishte vërtetuar fakti se tek i pandehuri asnjëherë nuk ishte arritur njëri ndër qëllimet e dënimit që është në risocializimin e tij.