Banka Botërore (BB) në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës (MMPH) kanë organizuar një punëtori për Menaxhimin e cilësisë së ajrit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Kjo punëtori është mbajtur me synim të ndihmojë rritjen e njohurive për gjendjen e tashme të Menaxhimit të cilësisë së ajrit, si dhe për kufizimet dhe mundësitë për përmirësime sa i përket ndotjes së ajrit në Kosovë.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se Kosova ndodhet në një fazë të rëndësishme ku duhet të integrohet agjenda në të gjitha fushat për integrime evropiane një nga to është edhe fusha e ambientit.
“Mbrojtja e mjedisit është një zotim për mirëqenies e brezave të ardhshme. Në muajin e parë të mandatit tim ministria ka hartuar planin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Është krijuar një grup i eksperteve. Kemi larguar thëngjillin në tri institucione arsimore. Kemi kërkuar nga komuna të hartojnë plane afatgjate për mbrojtjen e ambientit. Kemi themeluar një Task-forcë për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Janë rreth 200 shkolla që lëndë djegse ka thëngjillin”.
“Kam kërkuar nga ministri i Zhvillimit të mos ju jepet thëngjilli punëtorëve të KEK-ut. Po punojmë për themelimin e policisë së gjelbër të cilët do të ndihmojnë në mbrojtjen e ambientit. Viti 2018 është vit i pastrimit dhe gjelbërimit të ambientit në Kosovë. Do të bëhet kontroll i vazhdueshëm për elementet të cilat ndotin ajrin”.
Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, tha se ajri në Prishtinë dhe përgjithësi në Kosovë gjatë sezonës së dimrit është i rënduar dhe ndryshimi i kësaj gjendje kërkon angazhim nga të gjithë.
“Ne po mendojmë të bëjmë një analizë të të dhënave eksiztuese. Kualiteti i do të i ajrit është çështje shëndetësore por edhe ekonomike. Jemi të shqetësuar për pjesët e vogla të cilat vështirë filtrohen dhe ky nivel është shumë i lartë veçanërisht gjatë muajve të dimrit sidomos në Prishtinë. Ne do të mundohemi të kuptojmë se sa nga vjen ndotja. E dimë se ka sfida dhe kosto që ndërlidhen me këtë fenomen”.
“E dimë se shumë çka është bërë, veçanërisht kur janë shqyrtuar të dhënat nga viti 2010, por ne jemi krenar që po bëjmë diçka për përmirësimin e ajrit. Ne do të financojmë çështjen kur është fjala për minierën dhe hirin”, tha ai.
Punëtoria është organizuar në kuadër të iniciativës së Bankës Botërore për punë analitike në fushën e menaxhimit të cilësisë dhe ndotjes së ajrit në disa vende të Ballkanit Perëndimor, me synimin për t’a forcuar bazën e dëshmive për trajtimin e ndotjes së ajrit të mjedisit.