Rritja e ndjeshme e rasteve të dhunimit, ku 90 për qind e viktimave janë të mitur, është vlerësuar shqetësuese nga Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili tha se të gjithë të dyshuarit për këto vepra penale ndodhen në paraburgim, ndërsa viktimat po trajtohen në shtëpi të sigurta, strehimore apo në familjet e tyre.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Nikçi theksoi se Prokuroria Themelore në Pejë ka kompetencë territoriale mbi pesë komuna dhe se në secilin rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Prokuroria themelore në Pejë ka kompetencë territoriale mbi pesë komuna. Është shqetësuese për shkak se ka rritje të ndjeshme të rasteve të dhunimit dhe për fat të keq 90% të rasteve viktimat janë të mitur, ndërsa kryesit janë madhor. Mirëpo në secilin rast, si prokurori kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme bashkë me policinë e Kosovës, kemi arrestuar personat e dyshuar, ndërkaq viktimat kanë marrë trajtimin e duhur, ndërsa të gjithë ata që kanë kryer këto vepra penale gjenden nën masat e paraburgimit, kurse viktimat gjenden në shtëpi të sigurta, në strehimore apo në shtëpitë e tyre. Fillimisht u është dhënë trajtimi i duhur duke u caktuar psikologu, mbrojtësi i viktimave, prokurori i shtetit dhe njëkohësisht ndaj personave të pandehur janë ndërmarrë veprime ligjore”, tha ai.
Nikçi veçoi një rast të parandaluar në komunën e Istogut, ku, sipas tij, një telefonatë e qytetarit ka mundësuar kapjen në flagrancë të një të dyshuari për tentim dhunimi ndaj një të miture brenda një moteli.
“Vlen të potencoj një rast që ka ndodhur në komunën e Istogut, ku një thirrje e qytetarit ka bërë të mundur që të parandalohet dhe të arrestohet dhe të zbulohet një vepër e rëndë penale në këtë rast dhunimi, ku një kryesi i kësaj vepre penale që ka qenë madhor ka tentuar të dhunojë një të mitur brenda një moteli, mirëpo një telefonatë e qytetarit ka shërbyer që ky rast të parandalohet dhe të kapet në flagrancë. Ajo çka i nevojitet prokurorisë së shtetit dhe policisë së Kosovës është bashkëpunimi i qytetarëve dhe në këtë aspekt besoj që ka besueshmëri më të madhe të qytetarëve të raportimet e këtyre rasteve, mirëpo i shfrytëzoj rastin që përmes mediumit tuaj t’ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve që kudo që shohin informata një telefonatë mund të shpëtojë një jetë dhe një telefonatë mund ta çojë një kryes të kësaj vepre të rëndë penale në burg”, tha ai.
Nikçi shtoi se rastet e dhunës në familje mbeten më të shpeshtat në përditshmëri, duke theksuar se vetëm gjatë një viti në Prokurorinë Themelore në Pejë trajtohen mbi 350 raste të tilla, të cilat në shumicën e rasteve përfundojnë me dënime në gjykatë.
“Unë besoj që kjo është drejtpërdrejt besimi ndaj institucioneve. Edhe njëkohësisht mostoleranca ndaj dhunës, posaçërisht ndaj veprave penale të dhunimit, mirëpo për fat të keq rastet të cilat ndodhin në përditshmëri janë rastet e dhunës në familje. Si zçdhënës pothuajse në çdo të dytën, të tretën ditë raportoj për raste të dhunës në familje, mirëpo kjo tregon që këto raste raportohen, trajtohen me prioritet të lartë. Prokuroria themelore në Pejë ka koordinator të veprave penale për rastet e dhunës në familje dhe në kohë periodike mban takime ndërinstitucionale në mënyrë që të ketë efektivitet dhe efikasitet të këtyre rasteve në trajtim. Dhe brenda vitit trajtohen më shumë se 350 raste vetëm në prokurorinë themelore në Pejë të rasteve të dhunës në familje dhe këto raste në shumicën e rasteve marrin epilog dënues në gjykatë”, tha ai.
Duke folur për trendin krahasues me vitet e kaluara, ai theksoi se është shënuar rritje e ndjeshme e rasteve të dhunimit, ku viktimat janë të mitura, duke bërë apel për kujdes të shtuar nga familjarët.
“Përveç rasteve të dhunës në familje, krahas viteve të kaluara, vitit të paraprak ka një të ndjeshëm rritje të rasteve të dhunimit ku në këtë aspekt viktimat janë të mitura. Duhet t’ju bëjmë apel familjarëve dhe të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes, që të përkujdesen për fëmijët e tyre që mos të bien fëmijët e tyre pre e këtyre veprave penale për shkak se këto më pas mund të shkaktojnë pasoja të mëdha në jetën e tyre dhe në rrethin ku jetojnë. Andaj të kenë kujdes ndaj fëmijëve të tyre dhe njëkohësisht ku ka indicie që mund të ketë, që mund të kryhet kjo vepër penale, dyert e prokurorisë themelore në Pejë janë të hapura”, tha ai.
