Ndërmarrja për nxjerrje të metaleve në Kosovë, “Ferronikeli”, ka pezulluar punën që nga 8 nëntori për shkak të krizës energjetike.
Çmimet e nikelit kanë arritur vlera rekorde pasi Perëndimi vendosi të ndalojë importet e naftës nga Rusia. Çmimi ka kaluar 42 mijë dollarëshin për ton të mërkurën. Rritja është më e madhja në 15 vjetët e fundit.
Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës, furnizon botën me rreth 10 për qind të nikelit për nevojat për çelik dhe bateri të veturave elektrike dhe zë rreth 6 për qind të prodhimit botëror të aluminit që kryesisht përdoret në transport, ndërtim e industri të tjera.
Në indeksin e Londrës, nikeli është rritur në vlerë për më shumë se 31 për qind, duke tejkaluar vlerën që kishte pasur në vitin 2007.
Nikeli pati rritje të jashtëzakonshme në vlerë prej 250 për qind në dy ditë në këtë indeks duke bërë që këmbimorja e famshme e Londrës të pezullojë tregtimin të martën.
Janë dy lloje të nikelit, një 99.8 për qind i pastër dhe pjesa tjetër, shumicë, del në formën e produktit të ferronikelit, që kthehet lehtësisht në çelik.
Nikeli është element natyror që del nga thelbi i tokës. Ka ngjyrë argjendi me bazë të shndritshme dhe nuancë të artë në të. Nxirret nga dy xehe. Përdoret kryesisht në transport e për prodhim të enëve, monedhave, magneteve dhe metaleve tjera. Përdoret edhe për lyerje. Çeliku është aliazhi më i rëndësishëm i tij.
Rusia është prodhuesi më i madh në botë, ndërsa Kina kryeson për përdorim.
Kosova konsiderohet ndër vendet me rezerva të larta të nikelit. Sipas vlerësimeve, llogaritet se janë rreth 13 miliardë tonë.
Ndërmarrja për nxjerrje të metaleve në Kosovë, “Ferronikeli”, ka pezulluar punën që nga 8 nëntori për shkak të krizës energjetike.