Propozimet për korrigjim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë, për deputetin e vetëm të partive shqiptare në Kuvendin e Malit të zi, janë të papranueshme. Genci Nimanbegu, anëtar i Forcës së Re Demokratike, nuk mendon se një korrigjim eventual i kufijve shtetërorë midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte zgjidhje për një marrëveshje midis dy vendeve, shkruan sot Koha Ditore.
Propozimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim kufijsh, që Presheva, Medvegja e Bujanoci të bëhen pjesë e Kosovës, Nimanbegu i sheh si lojë emocionale.
“Të luhet me emocionet e njerëzve është një gjë shumë e rrezikshme. Të japësh premtime të rrejshme është një politikë e papërgjegjshme. Ne kështu si jemi duhet të shohim zhvillimin tonë”, ka thënë Nimanbegu, që është edhe nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Sipas deputetit nga Ulqini, në Mal të Zi, ka serbë që flasin për kthimin e Pejës duke aluduar se më 1913 qyteti perëndimor i Kosovës sundohej nga mbreti i Malit të Zi, Nikolla.