Nimanbegu nuk do të hyjë në atë Qeveri që kërkon tërheqjen e njohjes së Kosovës

Prishtinë | 31 Gus 2020 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ka thënë se është e vështirë që partitë shqiptare do të jenë në Qeverinë e Malit të Zi.

Nimanbegu ishte pjesë e Listës Shqiptare në zgjedhjet parlamentare të dielën në Mal të Zi, ndërsa fitoi një mandat.

Ai ka thënë se partitët opozitare pro-serbe në të kaluarën janë shprehur me deklarata anti-shqiptare dhe kanë paralajmëruar tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi dhe kjo e bënë të pamundur për partitë shqiptare që të futen në koalicion me këto parti.

Çelësin e formimit të Qeverisë së re të Malit të Zi e mban një shqiptar, Dritan Abazoviqi, që ishte prijës i listës së koalicionit “E zeza mbi të bardhën”, që ka fituar katër mandate.

“Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi treguan për një ndryshim të vullnetit të votuesve. Subjektet që ishin në opozitë në mandatin e kaluar – të gjitha së bashku – fituan 44 mandate, që do të thotë rreth 55 për qind të tyre. çSituata e krijuar] do të thosha se është prodhim i politikave të deritanishme në Mal të Zi, i vendimeve që janë marrë. Mbetet të shihet se si ky realitet do të drejtohet drejt qytetarëve të Malit të Zi, por edhe drejt synimeve euro-atlantike të shtetit. Kjo është një sfidë për ne. Shumë brenda këtyre subjekteve janë shprehur me deklarata anti-shqiptare, anti-Kosovës, kanë thënë se hapi i parë i tyre do të jetë tërheqja e njohjes së Kosovës. Megjithatë, ky nuk pritet të jetë debati në ditët e ardhshme. Deklaratat e para të tyre pas zgjedhjeve së paku ishin deklarata qetësuese, që bënin thirrje për bashkëpunim. Madje, një udhëheqës i listës së dytë opozitare, që ka fituar dhjetë mandate – që në Mal të Zi do të thotë mbi 13-15 për qind të votave – ka thënë se do t’i ftojë edhe partitë e pakicave në qeverinë e ardhshme”, ka thënë Nimanbegu për Radio Evropën e Lirë.

Ai ka thënë se nëse tërhiqet njohja e Kosovës atëherë do të rrezikoheshin marrëdhëniet rajonale.

“Njohja e Kosovës është bërë nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, nuk është votuar në Kuvend në vitin 2008. Kjo mund të jetë çështje edhe e qeverisë së ardhshme. Por, dyshoj se partia URA, që ka fituar katër mandate dhe tani për tani do të jetë çelësi i qeverisë së ardhshme, do ta pranojë një sfidë të tillë. Por, në aspektin afatgjatë, nëse URA do të jetë pjesëmarrëse në qeveri dhe do të bëhet një akt i tillë, do të rrezikohen marrëdhëniet rajonale dhe ecuria e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe Kosovës, që, deri më tash, sipas zyrtarëve të dy qeverive, ka qenë shumë e mirë. [V.j. URA udhëhiqet nga shqiptari Dritan Abazoviq]”, ka thënë Nimanbegu. “Ne i kemi të qarta synimet tona, qëndrimet tona, nuk kemi ndryshuar vite me radhë, as për opozitën pro-serbe ato nuk janë të panjohura. Do të shohim se si do të ecin ditët e ardhshme. Tani, pas zgjedhjeve, dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin votues, secilin qytetar për fushatën, e cila ka pasur ndikime të pandershme në vota, posaçërisht nga ana e zyrtarëve lokalë dhe të partisë së Millo Gjukanoviqit, si për shembull me oferta udhëtimesh, që ndikojnë në votën e lirë. Ne duhet ta ngremë zërin që shoqëritë tona të jenë sa më demokratike, që vullneti i votuesve të jetë i lirë dhe kështu do të vazhdojmë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme