Kryetari i Forumit Intelektual Europa 2030, Artan Nimani, njëherit kandidat për deputet i koalicionit AAK-Nisma- E30, që garon me numrin 25 në listat zgjedhore, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se Prokuroria nuk po e fton Haradinajn për deklaratat e tij se Kurti është I lidhur me Serbi pasi sipas saj “dalin lidhjet e Haradinajt me Serbinë”.
Nimani ka thënë se të përpiqesh ta barazosh kontributin e Haradinajt “me ndonjë agjendë të huaj” është jo vetëm absurd, por edhe cenim i rëndë ndaj historisë së sakrificës kombëtare, teksa familjen Jashari dhe Haradinaj i ka quajtur simbol të qëndresës dhe bekimit për këtë komb.
“Deklaratat publike që synojnë diskreditimin e figurave kombëtare si Ramush Haradinaj përmes akuzave të pabazuara për lidhje me Serbinë, pasqyrojnë një degradim të rrezikshëm në diskursin politik dhe shoqëror në Kosovë. Të përpiqesh ta barazosh kontributin e tij me ndonjë agjendë të huaj është jo vetëm absurd, por edhe cenim i rëndë ndaj historisë së sakrificës kombëtare. Familja Jashari dhe Haradinaj janë simbole të qëndresës dhe bekimit për këtë komb. Prekazi dhe Gllogjani janë për shqiptarët ajo që janë Meka dhe Jerusalemi për besimtarë-vende të shenjta të kujtesës dhe sakrificës kombëtare. Një shoqëri që toleron shpifje të tilla pa kërkuar përgjegjësi morale dhe politike nga autorët e tyre, rrezikon të humbasë aftësinë për të mbrojtur vlerat e saj themelore”, ka shkruar Nimani.
“Për më tepër, fakti që këto narrativa përçajnë opinionin publik dhe shërbejnë për interesa të ngushta politike, ngre dyshime serioze mbi shkallën e ndikimit të jashtëm në debatin tonë të brendshëm. Heshtja kolektive përballë këtyre tendencave të rrezikshme nuk është vetëm shqetësuese, por edhe alarm për një krizë më të thellë të kulturës politike dhe vetëdijes kombëtare. Nëse nuk ka reflektim dhe reagim të qartë, pasoja afatgjata për stabilitetin shoqëror dhe politik mund të jenë të pariparueshme”, ka shkruar Nimani.