Kryetari i “Forumit Intelektual Evropa 2030”, Artan Nimani, ka reaguar pas përurimit të dy shkollave dje në Podujevë, të cilat sipas tij ende punojnë me mjete primitive. Ai ka thënë se “mashtrimet nuk mund të kalojnë në detyrat e matematikës”.
Nimani ka thënë se gjendja në shkollat e Kosovës mbetet alarmante, duke reflektuar një hendek të madh mes përparimeve teknologjike globale dhe realitetit tonë.
“Kryeministri përuron shkolla të reja, por është ironike që ato janë të pajisura me mjete primitive, të cilat nuk përkojnë me standardet moderne të arsimit. Në vend që të ndihmojë në integrimin e teknologjisë së avancuar nëpër shkolla, ai vazhdon të mbajë një qasje të prapambetur që reflekton një mungesë të theksuar të përkushtimit ndaj modernizimit të arsimit në Kosovë. Gjendja në shkollat e Kosovës mbetet alarmante, duke reflektuar një hendek të madh mes përparimeve teknologjike globale dhe realitetit tonë. Ndërsa fëmijët në vende të tjera zhvillohen në një ambient digjital, ku mësimi ndërveprues dhe pajisjet IT janë pjesë e përditshmërisë, në shkollat tona ende përdoren metoda të vjetra. Shkumësi dhe dërrasa janë simbole të një sistemi arsimor që ka mbetur pas kohës”, ka thënë Nimani.
Ai ka përmendur edhe gabimin e bërë në zgjidhjen e një ekuacioni të thjeshtë matematikor.
“Kryeministri Kurti shpesh mburret me aftësitë e tij, duke shkruar me shkumës në prezantimet publike, por kjo vetëm thekson largësinë nga nevojat reale të shkollave tona. Gabimet e tij në matematikë, me lëndën të cilën ai mburrejë se e njehë, janë pasojë e një edukimi që nuk ka shkuar përtej nivelit të një bachelor-i. Por, më shqetësuese janë gabimet e tij në politikat arsimore, të cilat lënë fëmijët dhe mësuesit tanë të pajisur me mjete primitive, në vend që të investojë në teknologji të avancuar. Në një kohë kur bota ecën përpara me hapa gjigantë drejt digjitalizimit, është tragjike që fëmijët tanë ende detyrohen të punojnë me mjetet e shekullit të kaluar. Në vend që të mburret me shkrimin me shkumës, Kryeministri duhet të reflektojë mbi atë që po bën për të ardhmen e arsimit në Kosovë. Mashtrimet nuk mund të kalojnë në detyrat e matematikës. Sot, qytetaret madje edhe fëmijët e kuptuan që Ju keni vetëm fjalë të kota, duke zbuluar se je vetëm një kullë nga rëra”, ka shkruar ai.