Shefi i kabinetit të ministres së drejtësisë, Genc Nimoni ka thënë që Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve publik është çështje me prioritet për këtë ministri.
Ai në emisionin “Frontal”, në T7 tha se hetimi do të bëhet për ata zyrtarë që dyshohet se kanë fituar kundërligjshëm pasurinë.
“Me këtë ligj do të hetohen ata zyrtarë për të cilët ka dyshime se kanë përfituar rrasuri kundërligjshëm. Përshembull nëse një zyrtar e ka rrogën 500 euro dhe ka shumë pasuri, atëherë ne do të shohim se si është përfituar ajo pasuri”, ka thënë Nimoni.
Ndër të tjera ai deklaroi se kjo do të realizohet përmes disa modeleve e që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për të parë nëse ky ligj është në përputhje me legjislacionin, Nimoni tha se do t’i drejtohen edhe Komisionit të Venecias.
“Në fund ne do t’i drejtohemi edhe Komisionit të Venecias për të parë nëse I njëjti është në përputhje edhe me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Më tutje Nimoni foli edhe për reagimet pas publikimit të koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
Ai tha se ka pasur keqkuptime për sa i përket këtij koncept-dokumenti.