Pjesëtarët e EULEX-it kanë bastisur banesën e familjarëve të heronjve, Fahri e Bahri Fazliu në “Kodrën e Diellit” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Bastisja ka nisur që në orët e para të mëngjesit të së martës. Rastin ka konfirmuar nipi i heronjve, Fahri Fazliu.
“Po, është e vërtetë”, tha shkurt Fazliu, i cili theksoi se nuk di arsyet e kësaj bastisje edhe pse shtoi se në banesë kanë qëndruar të gjithë ish-luftëtarët e UÇK që janë në Hagë.
“Rreth orës 7 të mëngjesit ka filluar bastisja e banesës. Prej kësaj banese kanë dalë shumë heronj të tjerë, nuk di që ka diçka si ditar apo gjëra personale”.
“Të gjithë ata që janë në Hagë kanë qenë këtu, për vizitë familjare, në përvjetorë, kanë qëndruar këtu”.
“Unë kam qenë i ftuar nga specialja 3 vjet në cilësinë e dëshmitarit, por e kam përfunduar, nuk besoj që bastisja sot mund të ketë lidhje me atë”.