Dardan Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, njërit prej ish-krerëve të UÇK-së që gjendet në Speciale si i akuzuar, është deklaruar rreth vizitës së Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë.
Ai në një prononcim për lajmi.net ka thënë se çështja e Gjykatës Speciale është dashur të mendohet më herët për mënyrën se si duhet të funksionojë.
“Është një temë që është dashur me u mendu pak më herët për me ardhë deri tek ky moment. Për gjykimin tim nuk është mendu mjaftueshëm si duhet, tash rrethanat mund të kenë qenë të njohura të panjohura. Ne jemi në shërbim të drejtësisë, por është dashur të mendohet pak më mirë, se si me funksionu kjo Gjykatë”, ka thënë Kransiqi.
Po ashtu, Krasniqi ka folur edhe për kritikat që Haxhiu një kohë i ka bërë në drejtim të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët sot gjenden në Hagë, duke thënë së secili është përgjegjës për qëndrimet e tij.
“Qëndrimet e së cilit janë përgjegjësi e tij. Unë parimisht nuk pajtohem me gjykimin pa kurrfarë argumenti pavarësisht çfarë natyre gjykohen ose akuzohen njerëzit. Po në fund të fundit është vullnet i saj ose i tyre, i kujtdo që ka përdorur gjuhë të tillë”, shtoi ai.
Sa i përket vizitës së Haxhiut, ai tha se është e natyrshme të bëhet ky angazhim pasi që ata që janë në Hagë, kanë një histori që s’është e vogël sipas tij.
“Është krejt e natyrshme që çdo angazhim që bëhet, se ata janë qytetarë të Kosovës, më një të kaluar jo të vogël. Dhe çdo interesim i çdo dikasteri pa dallim është i mirëseardhur” përfundoi ai.
Kujtojmë së Jakup Krasniqi është arrestuar në nëntor të 2020-ës nga zyrtarë të EULEX-it të cilët kishin një urdhër-arrest nga Dhomat e Specializuara.
Ndërkaq, gjatë ditës për vizitën e Haxhiut ka folur edhe Musli Gucati, djali i kreut të OVL-së, Hysni Gucati.
Ai ka thënë se vizita e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë mund të jetë diçka e mirë por që prapë nuk mund “t’i harrojnë asnjëherë fyerjet dhe ofendimet ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”, shkruan lajmi.net.
“Ndoshta si institucion dhe Ministre e Drejtësisë, vizita e saj mund të jetë diçka e mirë dhe mund të jetë diçka produktive por mbetet për tu parë. Por prapë se prapë nuk mundemi me i harru asnjëherë ato fyerjet edhe ofendimet që i kanë bë ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”, tha Gucati për lajmi.net.
Po ashtu, Gucati ka thënë se Haxhiu është dashur të mendohet pak më herët për një temë të tillë, duke shtuar se kur të akuzuarit e tanishëm ishin në liri, sipas tij, nga kampi i Haxhiut kanë ardhur akuza dhe fyerje të pabaza.
“Sa i përket vizitës së znj Haxhiu unë mendoj së është dashtë me mëndu pak më herët për këto gjëra, sepse kur kanë qenë ata në liri, të gjithë e dinë për akuzat e pabaza, për fyerjet që i kanë bërë çdo herë disa pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj këtyre që po akuzohen në Hagë padrejtësisht”, tha ai.