Rreth 2 milionë euro i ka investuar Qeveria e Kosovës për asfaltimin e rrugës 18-kilometërshe, e cila është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ishte e vetmja në komunën e Vushtrrisë që kishte mbetur pa u rindërtuar. Kjo rrugë lidh Vushtrrinë me Obiliqin dhe më tutje me Prishtinën. Nis ndërtimi edhe i segmentit të autorrugës Lummadh – Gojbulë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ka filluar asfaltimi i rrugës 18-kilometërshe Novolan – Gllavotin, në të cilën gravitojnë 27 fshatra të Artakollit të Vushtrrisë, pas zvarritjeve me vite të projektit të rrugës, për të cilin Qeveria e Kosovës ka investuar rreth 2 milionë euro.
Kjo rrugë, e cila ishte ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe në të cilën nuk ishte intervenuar për ta sanuar as pas përfundimit të luftës, ishte bërë problem i madh për banorët e shumë fshatrave të asaj pjese, pasi që për shkak të gropave ishte bërë e pakalueshme edhe për automjetet, shkruan më tutje “Zëri”.
Komuna e Vushtrrisë në kohën sa me të qeveriste Bajram Mulaku kishte kërkuar shumë herë nga Qeveria e Kosovës që të investojë në rindërtimin e saj, por çështja ishte zvarritur për shumë kohë.