Nis asfaltimi i rrugëve në Runik të Skenderajt

Prishtinë | 20 Gus 2019 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Ka filluar asfaltimi i 14 kilometrave rrugë në Runik të Skenderajt. Në përurimin e fillimit të punimeve të pranishëm ishin kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, asamblistë dhe deputeti Bekim Haxhiu.

Kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari tha se ky projekt është i përmasave të mëdha, dhe që po bëhet për herë të parë, pas çlirimit të vendit.

“Sot filluam rehabilitimin e rrugës Runik-Suliganë, një rrugë me 3 mijë e 500 metra gjatësi, dhe që ka segmentet tjera të shumta në Runik, Këstërrc, në Bajë, dhe që gjithsejt janë 14 kilometra e gjysmë që do të shtrohen, do të rregullohen rrugë në këtë zonë të komunës që ndoshta mund të them 20 vite pas luftës, pas çlirimit të vendit tonë, të bëhet një projekt i tillë. Edhe këto përmasa është për herë të parë”, tha Jashari.

Jashari tha se ky projekt është dy vjeçar, ndër të tjerash tha se shpreson që ky projekt të përfundojë më shpejt, për të mirën e qytetarëve.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se një vit më parë, qytetarët e këtij vendi kishin bllokuar hyrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Mos të harrojmë që vetëm një vit më parë në këtë vend është bllokuar hyrja e Vuçiqit në Drenicë, ndërsa kryetari i komunës sot po ua kthen me zhvillim, më investime, sepse kjo trevë ka nevojë që të zhvillohet, ndërtohet dhe kjo në mënyrën më të mirë po e bën kryetari i komunës, bashkë me ne”, ka thënë ai.

Kryetari i kësaj komune tha se ndihet falënderues për punimet në këtë vend.

Të ngjashme