Sipas programit të publikuar, në këtë edicion do të shfaqen qindra filma të shkurtër e të gjatë, ndërsa në tapetin e kuq do të kalojnë mbi 30 film-bërës ndërkombëtarë.
Edicioni i katërt i festivalit ndërkombëtar të filmit FERFILM, nisi mbrëmë në Shtëpinë e teatrit “Adriana” në Ferizaj, i mirëpritur nga qindra shikues.
Festivali u hap me një film të shkurtër për Nënë Trezën, si përkujtim për shikuesit që këto ditë bëhet shenjtërimi i saj në Vatikan dhe me dy këngë, interpretuar nga këngëtarët e njohur ferizajas Veli Sahiti e Mentor Haziri.
Festivalin e shpalli të hapur kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, i cili shfaqi gatishmërinë e pushtetit lokal për të mbështetur ngjarje si kjo. Ai tha se festivali ofron një rast të mirë që edhe krijuesit, por edhe shikuesit të njihen me krijimtari e përvoja nga vende të ndryshme të botës.
Ndërsa drejtori komunal i kulturës, Naim Ferati, konstatoi se festivali FERFILM është një moment kur në Ferizaj vijnë më shumë se asnjëherë tjetër krijues të filmit nga shumë vende të botës. Ai falënderoi Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Ferizajt që e mbështetën financiarisht organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore.
Pas hapjes, u shfaq (jashtë konkurrencës) një dokumentar i huaj, për mënyrën e jetesës së burrneshës Lule Bib Luka nga Tuçi i Fusharrëzit në Shqipëri, e cila e kalon jetën e vetmuar në bjeshkë, vetëm me një tufë delesh.
Festivali i filmit FERFILM u themelua në vitin 2013 nga një grup artistësh ferizajas, si një nismë që përmes filmit, si një metodë atraktive, të promovohen kulturat dhe vlerat universale botërore.
Sipas programit të publikuar, në këtë edicion do të shfaqen qindra filma të shkurtër e të gjatë, ndërsa në tapetin e kuq do të kalojnë mbi 30 film-bërës ndërkombëtarë.
Festivali do të zgjasë nga 2 deri më 6 shtator. Shfaqjet e filmave do të jepen në Qendrën e kulturës dhe në Shtëpinë e teatrit në Ferizaj, si dhe që qendrat e kulturës në Viti dhe në Shtime.