Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafën, kanë marrë pjesë në fililmin e fushatës së korrje-shirjeve në Kosovë.
Në fshatin Shirokë të Suharëkës, Mustafa ka thënë se ministria të cilën ai e drejton edhe këtë vit do të vazhdojë me subvencionimin e grurit dhe 26 kulturave të tjera Bujqësore duke përfshirë edhe pjesën e granteve ku në total bëjnë 53 milion euro, nga Ministria e Bujqësisë për Bujqësinë në Kosovë
“Sot jemi në shirokë në komunën e Suharekës për të parë nga afër fillimin e sezonës së korrje-shirjeve të grurit për vitin 2020 në vendin tonë. Jemi tek fermeri Nysret Bajraktari ku dhe të gjithë fermerëve në Kosovë iu urojmë bereqet për vitin 2020. Shpresoj që te kemi rendiment të pëlqyeshëm të grurit për sivjet. Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit do të vazhdojë me subvencionimin e grurit dhe 26 kulturave të tjera Bujqësore duke përfshirë edhe pjesën e granteve ku në total bëjnë 53 milion euro”, shtoi ai.
Kryeministri Hoti ka premtuar se Qeveria do t’i mbështesë prodhuesit dhe bujqit e Kosovës, duke i përfshirë edhe bujqit në pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
“Jemi sot tek Naseri për të filluar fushatën e korrjeve për sivjet. Këtë vit ka qenë një vit specifik që kemi kaluar me pandeminë me mbylljen e kufijëve dhe bizneseve dhe kur përballemi me këto situata e kuptojmë sesa e rëndësishme është që ne të kemi prodhues dhe bujq të vyeshëm lokal. Dhe jemi pajtuar me Ministrin që në pakon e rimëkëmbjes ekonomike të jetë dyfishimi i subvencionimit në bujqësi dhe pres të kalojë buxheti në Kuvendin e Kosovës dhe lus grupet parlamentare që të organizohen në këtë kohë që të mbahet një seancë e Kuvendit, në mënyrë që të kalohet buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi Hoti.