Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se sot ka nisur përmbushja e premtimit të dhënë për hapje të bunarëve për familjet që vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, me nënshkrimin e 20 kontratave ndërmjet Organizatës “Qatar Charity” dhe qytetarëve të kësaj komune.
“Ky ka qenë një premtim i imi i dhënë para 3 muajve, gjatë dëgjimeve buxhetore nëpër fshatrat e Skenderajt, dhe gjatë kësaj kohe janë identifikuar rastet më urgjente për të intervenuar me hapje të bunarëve”, shkruan kreu i Skenderajt në një postim në Facebook.
Ai thotë se ditëve në vijim do të vazhdohet me hapjen e bunarëve tjerë, në bashkëpunim me organizatën “Qatar Charity”. Dhe përveç hapjes së bunarëve, ai thotë se do të bëhet edhe instalimi i gypave të ujit nga pusi e deri brenda shtëpive.
Jashari premton se do të vazhdojnë me investimet publike në sistemin e ujësjellësit në secilin fshat ku është e domosdoshme.