Kryetari i Komunës se Vushtrrisë, Ferit Idrizi, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, ka vizituar Shkollën Fillore “Naim Frashëri” dhe çerdhen “Foleja” në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.
Idrizi ka thënë se janë kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit mësimor në këtë komunë dhe se gjithçka është duke shkuar mirë.
“Të gjitha përgatitjet janë bërë në komunën e Vushtrrisë. Me këtë rast dua që të falënderoj drejtoreshën, stafin, drejtorin e arsimit për të gjitha përgatitjet që janë bërë në të gjitha shkollat e Komunës së Vushtrrisë. Ne jemi shumë të kënaqur me këtë që e pamë këtu në çerdhen Foleja, me menaxhimin edhe stafin të cilët janë duke punuar për fëmijët”, ka thënë Idrizi.
Mirëpo, drejtori i Arsimit në këtë komunë, Albanez Tahiraj, ka thënë se si shkak i subvencionimit të prindërve për tekste shkollore, sot shumica e nxënësve në këtë komunë ende nuk janë furnizuar me libra.
Tahiraj ka thënë se për këtë çështje i kanë shprehur shqetësimin e ministres së Arsimit, ku sipas tij, një numër i madh i prindërve kanë pasur probleme në aplikim dhe se si DKA shndërruar në asistent të prindërve për të aplikuar për subvencionim.
“Kemi pasur takime të rregullt edhe me ministren e Arsimit, i kemi paraqitur shqetësimet tona si nivel komunal, si DKA-në për mënyrën e furnizimit, subvencionimin e prindërve me libra pasi që ka shumë raste që prindërit kanë ardhur në DKA dhe na është dashur që ne të asistojmë në aplikim. Një prej problemeve më të mëdha që dihet është se jo secili prind e ka kapacitetin për tu kyçur në platformë, prandaj ne jemi shndërruar në asistent të prindërve me qëllimin më të mirë që me ardhë deri te subvencionimi dhe furnizimi me libra. Sfida tjetër është që për këtë periudhe të shkurtër kohore kur ka filluar transferimi i mjeteve është e pamundur që të furnizohen të gjithë me libra shkollorë, kështu që edhe sot që ka filluar viti shkollor zyrtarisht shumë nxënës akoma nuk janë furnizuar me libra”, ka thënë ai.
Drejtoresha e çerdhes “Foleja”, Donika Selaci, ka thënë se ky institucion aktualisht ka 170 fëmijë dhe se kanë kapacitet për të pranuar deri në 200 fëmijë, nëse rritet stafi.
“Institucioni ynë ka aktualisht 170 fëmijë të komunës së Vushtrrisë. Mendoj që kapaciteti ynë mund të shtohet nëse kemi staf shtesë. Kjo do të thotë që na kushtëzon. Sa i përket hapësirës, kemi hapësirë të mjaftueshme, kështu që mundemi deri në 200 fëmijë kapacitet të përgjithshëm. Besoj që në të ardhmen e afërt do të realizojmë edhe këtë”, ka thënë ajo.