Kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës me katër korsi Gjilan-Prishtinë, në gjatësi prej 7.3 km. Në ceremoni morën pjesë kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, dhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Hoti tha se nisja e këtyre punimeve është jetike për infrastrukturën në Gjilan.
“Ky projekt, bashkë me pjesën tjetër në anën tjetër të qytetit, pjesë e një projekti më të madh nga BERZH-i, edhe në Ferizaj, Prizren dhe plot projekte të tjera, kanë filluar para disa vjetësh, kur edhe personalisht, bashkë me ministrin Abrashi dhe me të tjerë, ishim në kapacitete të tjera. Unë jam shumë i nderuar që ndodhem sot këtu për të filluar këtë projekt dhe jam i bindur që në kohe rekorde do të përmbyllet. Ky projekt do t’i japë frymë qytetit të Gjilanit dhe së bashku me pjesën tjetër të Gjilanit njihet si projekti më i madh nga BERZH”, theksoi Hoti.
Ndonëse në një situatë të vështirë të menaxhimit të pandemisë dhe duke ditur se komuna e Gjilanit është ndër komunat më të prekura me këtë situatë të pandemisë, kryeministri Hoti përgëzoi kryetarin Haziri për punën që po bën, për përkushtimin edhe njerëzor që ka, jo vetëm institucional, për menaxhimin e kësaj situate.
“Do të qëndrojmë bashkë për të tejkaluar këtë situatë dhe në të njëjtën kohë do të mundohemi të çojmë përpara një agjendë zhvillimore të vendit, sepse për ne këto dyja janë prioritetet kryesore, menaxhimi i pandemisë, ruajtja e jetës së qytetarëve dhe dalja në ndihmë bizneseve dhe zhvillimi ekonomik në anën tjetër”, tha kryeministri Hoti.
Ndërsa, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, u shpreh se ky projekt jo vetëm që do ta rregullojë infrastrukturën e trafikut të qytetit që ai drejton por do të ketë rëndësi edhe për atë nëntokësore, duke ruajtur ambientin dhe ujërat në zonën e qytetit.
“Emri dhe rruga ka shumë çmim sepse e rregullon infrastrukturën jo vetëm në trafik por edhe atë nëntokësore dhe duke e ruajtur ambientin dhe ujerat në zonën e qytetit”, tha Haziri.
Haziri ka falënderuar kryeministrin Hoti për të cilin tha se pa asnjë hezitim ka mbyllur procesin me BERZH-in.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, premtoi edhe një investim tjetër në qytetin e Gjilanit. Ai tha se ky qytet po e merr vëmendjen e qeverisë Hoti, raporton EO.
“Do të vijmë sërish na Gjilan që e kemi një projekt të rëndësishëm nga hyrja nga Kllokoti në Gjilan. Do të vijmë edhe me tenderimin e autostradës nga Bresalci deri në kufi, prandaj me fjalë tjera Gjilani po merr vëmendjen e duhur të qeverisë Hoti. Ne do të jemi këtu vitin e ardhshëm edhe me projekte tjera”, tha Abrashi.
Përfaqësuesi i BERZH-it në Kosovë, Arianit Blakaj, falënderoi të pranishmit, teksa dha përkrahje edhe për projekte tjera.